Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlindës, duke kritikuar dështimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e grave që kanë kërkuar ndihmë nga shteti.

Cakolli ka thënë se deklaratat e institucioneve, arsyetimet e Policisë dhe Prokurorisë, reagimet e politikanëve dhe seancat e jashtëzakonshme në Kuvend nuk mjaftojnë për të adresuar përgjegjësinë për vrasjen.

Ai ka theksuar se dështimi i shtetit për mbrojtjen e jetës së grave është konstatuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, duke përmendur rastet e Diana Kastratit, më 2013, dhe Sebahate Morinës, më 2023.

Sipas Cakollit, përgjegjësia nuk duhet të përfundojë vetëm me masa disiplinore, transferime në pozita të tjera apo dorëheqje, por duhet të ketë pasoja konkrete për zyrtarët që rezultojnë përgjegjës.

“Përveç dorasit dhe pjesëmarrësve të tjerë në krim, në burg duhet me përfundu edhe ata policë, prokurorë, gjyqtarë apo cilido zyrtar tjetër për të cilët provohet se, me neglizhencën dhe papërgjegjësinë e tyre, e çuan rastin drejt përfundimit me fatalitet”, ka shkruar ai.

Cakolli ka vlerësuar se dështimet institucionale në mbrojtjen e jetës nuk duhet të trajtohen si gabime të zakonshme administrative, por si çështje që kërkojnë përgjegjësi konkrete.

Në reagimin e tij, ai u është referuar edhe letrave të Arlindës, duke theksuar se institucionet është dashur ta merrnin seriozisht rastin dhe ta mbronin atë sa ishte gjallë, e jo të shprehnin ngushëllime pas vrasjes.

“E vetmja urgjencë ka qenë që institucionet ta merrnin seriozisht dhe ta mbronin sa ishte gjallë”, ka përfunduar Cakolli.