Kampionati Botëror 2026 u përurua të premten, më 12 qershor, me një ceremoni madhështore hapjeje në stadiumin SoFi të Los Anxhelosit. Ky eveniment i rëndësishëm parapriu ndeshjen mes kombëtareve të SHBA-së dhe Paraguait.
Programi para-ndeshjes ishte i pasur me performanca nga yje të muzikës botërore. Këngëtarja e famshme Katy Perry ishte një nga emrat kryesorë, duke performuar këngën “Wonder” rreth dhjetë minuta para fillimit të ndeshjes. Ajo u shoqërua në skenë nga Tius Luka, zëri i të cilit shfaqet edhe në versionin origjinal të këngës, pjesë e albumit të saj “143”. Luka, i cili udhëtoi nga Norvegjia, ishte aty për të ndarë skenën me artisten.
Në mesin e interpretuesve të tjerë ishin Future, Anitta, LISA nga Blackpink, Rema dhe Tyla. Lisa, Anitta dhe Rema sollën këngën “Goals” nga albumi zyrtar i Kupës së Botës, ndërsa Future dhe Tyla interpretuan “Game Time”. Himni kombëtar amerikan u këndua nga dyshja Dan dhe Shay. Gjithashtu, një video motivuese, “The Pursuit”, u shfaq para paraqitjes së ekipit kombëtar të SHBA-së.
Ceremonia në Los Anxhelos ishte pjesë e një programi më të gjerë hapës në të tre vendet pritëse. Një ditë më parë, Shakira kryesoi ceremoninë në Meksikë, ndërsa Kanadaja zhvilloi gjithashtu një program special. SHBA, si një nga bashkëorganizatorët, do të luajë ndeshjet e fazës së grupeve kundër Australisë më 19 qershor në Sietëll dhe kundër Turqisë më 25 qershor në Ingëllvud.
