**Sadiku kritikon Vetëvendosjen para takimit Kurti-Abdixhiku: “Manipulantë fantastikë”**
Nesër, duke filluar nga ora 11:00, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Lidhur me këtë temë, deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Sadiku u shpreh se nuk ka asnjë pritshmëri nga ky takim dhe, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e përbërë nga “manipulantë fantastikë”.
“Këta janë manipulantë fantastikë; tjetër gjë thonë dhe tjetër veprojnë. Flasin për një emër të përgjithshëm, gjoja jopartiak, dhe në fund propozojnë për votim Glauk Konjufcën. Nuk mund t’i marr seriozisht politikanët që flasin një gjë e veprojnë tjetër, dhe kështu kanë vepruar gjithë jetën e tyre” – deklaroi deputeti i LDK-së në Klan Kosova.
“Nuk mund t’i komentoj; ndihem keq kur dëgjoj se çfarë thonë dhe shoh se çfarë bëjnë” – theksoi Sadiku.
Afati për zgjedhjen e kreut të shtetit është deri më 28 prill.
Ky afat kushtetues është thelbësor që Kosova të zgjedhë Presidentin, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.
