Manikyri, dikur thjesht pjesë e rutinës së bukurisë, është kthyer papritur në temë debati në Britani.

BBC u kritikua këtë javë pas publikimit të një artikulli për popullaritetin e thonjve në nuanca nude, ku sugjerohej se ky trend mund të përforconte standarde të caktuara të bukurisë të lidhura me dominimin e estetikës së bardhë.

Por ndërsa polemika vazhdon, një eksperte bukurie thotë se zgjedhja e ngjyrës së manikyrit mund të tregojë diçka krejt tjetër: mënyrën se si një person shpreh vetëbesimin, kreativitetin, ambicien, optimizmin dhe madje raportin me të tjerët.

Jyoti Verma, themeluese e platformës së specializuar për thonjtë Mirellé Inspo, thotë se shumica e njerëzve kanë dy ose tri ngjyra që i zgjedhin vazhdimisht, shpesh pa menduar gjatë.

Sipas saj, këto zgjedhje nuk janë gjithmonë vetëm çështje estetike.

“Shumica e njerëzve kanë dy ose tri ngjyra të cilave u rikthehen pa menduar, sezon pas sezoni. Por psikologjia e ngjyrave sugjeron se pas këtyre zgjedhjeve mund të ketë më shumë sesa thjesht shije vizuale”, shpjegon ajo.

Verma thotë se psikologjia e ngjyrave të thonjve mbështetet te mënyra se si truri përpunon ngjyrën dhe si nuanca të ndryshme mund të ndikojnë në emocione, mendime dhe sjellje.

“Ngjyra e manikyrit qëndron në fushën tuaj të shikimit gjatë gjithë ditës. I shihni duart ndërsa shkruani, hani apo flisni. Kjo ekspozim i vazhdueshëm vizual do të thotë se ngjyra që zgjidhni mund të ketë një ndikim të lehtë, por të vazhdueshëm, në gjendjen emocionale”, thotë ajo.

Ja çfarë mund të tregojë, sipas kësaj qasjeje, ngjyra që preferoni më shpesh.

E kuqja – vetëbesim dhe ambicie

Personat që zgjedhin shpesh manikyr të kuq priren të lidhen me vetëbesimin, ambicien dhe dëshirën për t’u vënë re.

E kuqja është një ngjyrë që tradicionalisht lidhet me pasionin, energjinë dhe fuqinë.

Sipas Vermës, personat që e preferojnë këtë ngjyrë zakonisht ndihen rehat në qendër të vëmendjes, nuk kanë frikë të marrin rreziqe dhe shpesh duan të përcjellin një imazh të fortë.

Nuancat e thella të së kuqes mund të japin përshtypjen e autoritetit dhe sigurisë në vetvete.

Rozë ose nude – ngrohtësi apo elegancë e përmbajtur

Rozë dhe nude shpesh konsiderohen si zgjedhje “të sigurta”, por ekspertja thotë se mesazhi i tyre nuk është i njëjtë.

Ngjyrat rozë lidhen me ngrohtësinë, afrueshmërinë dhe hapjen sociale.

Rozët e çelëta mund të japin përshtypjen e një personi miqësor, të butë dhe të lehtë për t’u afruar.

Ndërkohë, nuancat më të forta si fuchsia, hot pink dhe magenta përcjellin më shumë energji, vendosmëri dhe një lloj autoriteti lozonjar.

Ndryshe nga rozë, ngjyrat nude lidhen më shumë me minimalizmin e qëllimshëm.

“Një nuancë nude e zgjedhur mirë nuk është domosdoshmërisht zgjedhje nga mungesa e guximit. Ajo mund të tregojë qetësi, kontroll dhe mungesë interesi për zhurmën vizuale”, thotë Verma.

Në mjedise profesionale, thonjtë nude perceptohen shpesh si të kuruar dhe elegantë, jo si të padukshëm.

Blu – qetësi dhe besueshmëri

Manikyri blu lidhet me qetësinë, stabilitetin emocional dhe preferencën për thellësi në vend të ekspozimit.

Bluja është një nga ngjyrat që në shumë kultura lidhet më së shumti me besimin dhe kompetencën.

Kjo mund të shpjegojë pse funksionon mirë edhe në ambiente profesionale, ku e kuqja ndonjëherë mund të perceptohet si shumë dominante.

Nuancat e çelëta të blusë lidhen më shumë me hapjen dhe afrueshmërinë, ndërsa ato më të errëta mund të përcjellin inteligjencë, seriozitet dhe vetëbesim kreativ.

E zeza – pavarësi dhe individualitet

Thonjtë e zinj shpesh lidhen me pavarësinë, kreativitetin dhe dëshirën për të mos iu përshtatur domosdoshmërisht normave.

Sipas Vermës, personat që preferojnë të zezën mund të kenë një ndjenjë më të fortë të identitetit individual dhe të mbështeten më shumë te ajo që vetë e konsiderojnë të përshtatshme, sesa te pritshmëritë e të tjerëve.

E zeza mund të përcjellë gjithashtu një estetikë më të guximshme, misterioze dhe jokonvencionale.

Shumëngjyrëshe – kreativitet dhe spontanitet

Thonjtë me ngjyra të ndryshme, të njohur shpesh si “dopamine nails”, ndërtohen rreth idesë se ngjyrat e forta mund të shkaktojnë një reagim emocional pozitiv.

Nuancat e ngrohta dhe të ngopura, si rozë e ndezur, portokalli elektrik dhe e verdhë e fortë, kanë një ndikim vizual më intensiv se ngjyrat neutrale.

Kjo mund të shpjegojë pse preferohen shpesh nga persona energjikë, krijues dhe ekstrovertë.

Ngjyrat e ndezura lidhen zakonisht me gëzimin, optimizmin dhe vetëbesimin.

Edhe manikyrët “rainbow” apo “skittle”, ku çdo thua ka një ngjyrë të ndryshme, shpesh shihen si shenjë e dëshirës për të eksperimentuar, për t’u dalluar dhe për të mos marrë gjithçka shumë seriozisht.

Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një tipar të vetëm personaliteti, por më tepër për dashuri ndaj shumëllojshmërisë, spontanitetit dhe lirisë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së vet.

A mund ta zbulojë vërtet personalitetin ngjyra e thonjve?

Edhe pse psikologjia e ngjyrave mund të ofrojë disa shpjegime interesante, zgjedhja e manikyrit nuk duhet parë si një test i saktë i personalitetit.

Moda, puna, stina, disponimi dhe preferencat estetike ndikojnë gjithashtu në ngjyrën që zgjedhim.

Megjithatë, nuancat që na tërheqin vazhdimisht mund të tregojnë diçka për mënyrën se si duam të ndihemi ose për imazhin që dëshirojmë të përcjellim te të tjerët.

Në fund, një ngjyrë manikyri mund të jetë shumë më tepër se një detaj estetik – mund të jetë edhe një formë e vogël, por e qëllimshme, e vetëshprehjes. /GazetaExpress/