**Duhani rrezikon seriozisht edhe shikimin, sipas studimit të Rutgers**
Një studim i Universitetit Rutgers ka zbuluar se pirja e më shumë se 20 cigareve në ditë, përveç dëmtimit të zemrës dhe mushkërive, mund të rrezikojë seriozisht edhe shikimin.
Studimi përfshiu 71 persona të shëndetshëm, të moshës 25 deri në 45 vjeç. Nga këta, tetë pinin më pak se 15 cigare në ditë, ndërsa 63 konsumonin më shumë se 20 cigare ditore. Hulumtuesit analizuan aftësinë e pjesëmarrësve për të perceptuar kontrastet (dallimet delikate në intensitetin e dritës) dhe ngjyrat, duke përdorur një monitor CRT.
Sipas ATSH-së, rezultatet treguan ndryshime të theksuara tek duhanpirësit në perceptimin e ngjyrave, veçanërisht të atyre të kuqe-jeshile dhe blu-verdhë. Kjo sugjeron se substancat kimike që gjenden te cigarja mund të shkaktojnë një humbje të përgjithshme të aftësisë për të dalluar ngjyrat. Në përgjithësi, studimi konfirmoi se duhanpirësit aktivë kishin një aftësi më të ulët për të dalluar kontrastet dhe ngjyrat, krahasuar me joduhanpirësit.
Ndonëse studimi nuk ofron një shpjegim të plotë fiziologjik për këto rezultate, ekipi i shkencëtarëve thekson se nikotina dhe tymi i duhanit dëmtojnë sistemin vaskular dhe retinën e syve.
