Burgerët shpesh konsiderohen si ushqim jo shumë i shëndetshëm, por ekspertët e ushqyerjes thonë se ata mund të jenë pjesë e një diete të ekuilibruar, veçanërisht kur përgatiten në shtëpi dhe zgjidhen përbërësit e duhur.

Dietologia amerikane Whitney Stuart thekson se burgerët janë një burim i mirë proteinash dhe vitaminës B12, e cila luan rol të rëndësishëm në formimin e qelizave të kuqe të gjakut, funksionimin e sistemit nervor dhe ruajtjen e energjisë në organizëm. Megjithatë, ajo këshillon kujdes me yndyrnat e ngopura dhe shtesat si djathi apo proshuta.

Sipas ekspertëve, burgeri klasik me mish viçi që përmban rreth 20 për qind yndyrë ofron balancën më të mirë mes shijes dhe vlerave ushqyese. Edhe pse versionet më të dobëta kanë më pak kalori, ato shpesh janë më të thata, duke bërë që njerëzit të shtojnë salca dhe përbërës të tjerë me sheqer apo kalori shtesë.

Një alternativë më e shëndetshme janë burgerët me mish gjeldeti ose pule. Këto përmbajnë dukshëm më pak yndyrë të ngopur dhe kalori, ndërsa ofrojnë sasi të larta proteinash, vitaminë B12, niacinë dhe selen, duke kontribuar në shëndetin e zemrës dhe sistemit imunitar.

Ekspertët vlerësojnë gjithashtu burgerët me mish bizoni, të cilët kanë më pak yndyrë se mishi i viçit dhe janë të pasur me hekur dhe vitamina të grupit B. Megjithatë, shija e tyre më e fortë nuk preferohet nga të gjithë konsumatorët.

Ndërkohë, burgerët me bazë bimore, të cilët u bënë shumë të njohur vitet e fundit, nuk janë gjithmonë aq të shëndetshëm sa mendohet. Sipas specialistëve, ato përmbajnë sasi të larta kripe dhe shpesh klasifikohen si ushqime shumë të përpunuara. Një burger bimor mund të përmbajë disa herë më shumë natrium sesa një burger tradicional me mish viçi.

Në krye të listës së zgjedhjeve më të shëndetshme renditet burgeri me salmon. I pasur me proteina cilësore dhe acide yndyrore omega-3, ai ka më pak kalori dhe yndyrë se burgeri klasik me mish viçi, ndërsa ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe trurit.

Ekspertët theksojnë se sekreti nuk qëndron vetëm te lloji i burgerit, por edhe te mënyra e përgatitjes dhe përbërësit që përdoren. Zgjedhja e mishit cilësor, kufizimi i salcave të përpunuara dhe shtimi i perimeve të freskëta mund ta bëjnë këtë ushqim shumë më të shëndetshëm sesa mendohet zakonisht. /GazetaExpress/