Ilir Mirena kundërshton Nexhmedin Spahiun, e cilëson “militant” për deklaratat ndaj Vjosa Osmanit
Ilir Mirena, i ftuar në emisionin “Pressing” në T7, i ka reaguar ashpër deklaratave të Nexhmedin Spahiut, të cilat ky i fundit i bëri në lidhje me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Mirena e cilësoi Spahiun si militant, duke theksuar se këto janë sjellje primitive, raporton Gazeta Express.
“Si po flet, dukesh si militant. Ne gjykohemi nga ajo që themi. Çfarë po flet, dukesh militant. Kjo fushatë me karakter militant, e jotja, ndaj kujtdo që ka guximin të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), është thjesht një fushatë krejtësisht në favor të VV-së dhe kryeministrit Kurti,” ka thënë Mirena.
Ai shtoi se njerëzit që largohen nga VV-ja, përfshirë ata që e kanë bërë këtë më herët, duhet të vlerësohen dhe jo të ofendohen.
“Pavarësisht çfarë rezultati do të korrin, ata kanë një pikë dinjitet, dhe kur dikush që është në majat e pushtetit refuzon një koncept, nuk është mirë të fyhet. Çfarë janë këto sjellje primitive? A po vdesin nga uria të gjithë ata që janë larguar nga Kurti?” – përfundoi ai.
