**Tensionet me Iranin: Trump rithekson synimin bërthamor, komandanti iranian ofron shpërblim për ushtarë amerikanë**

Pas përfundimit të armëpushimit 60-ditor, presidenti amerikan Donald Trump ritheksoi synimin kryesor të SHBA-së në marrëdhëniet me Iranin. “Qëllimi numër një, dhe gjithmonë do të jetë, që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë apo formë, një armë bërthamore,” deklaroi Trump.

Nga ana e tij, Irani e konsideron skadimin e këtij armëpushimi “krejtësisht të parëndësishëm”, pasi sipas tyre, ushtria amerikane ka kryer sulme të vazhdueshme edhe gjatë periudhës së paqes. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, bëri të ditur se bisedimet me Omanin po vazhdojnë, por po kërkojnë kohë për shkak të kompleksitetit të çështjeve dhe përpjekjeve të disa aktorëve për të minuar procesin. Ai shtoi se po zhvillohen përpjekje diplomatike edhe në lidhje me tre pilotë iranianë, të cilët Katari pretendon se kanë shkelur hapësirën e tij ajrore.

Pika kryesore e tensionit mes palëve mbetet ajo e ujërave. Baghaei theksoi se “pasiguria e Ngushticës së Hormuzit na u imponua neve, rajonit dhe të gjithë botës. Arsyeja e saj ishte veprimi i paligjshëm ushtarak nga Amerika dhe regjimi sionist.”

Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, shprehu një qëndrim sfidues, duke deklaruar: “Deklaroj me gjithë zemër se e fituam këtë luftë, si nga ana politike ashtu edhe ushtarake. Në një luftë të padrejtë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist, kombi ynë qëndroi dhe luftoi me trimëri. Ne shkatërruam ushtritë amerikane dhe sioniste. Ata dështuan të përmbushnin qëllimet e tyre në çdo nivel.”

Ndërkohë, një komandant ushtarak iranian ka ofruar një shpërblim prej 30 mijë dollarësh për luftëtarët iranianë që vrasin ose kapin rob ushtarë amerikanë.