Njëzet e tri vjet, 232 ndeshje, 146 gola dhe gjashtë Kupa Bote më vonë, në moshën 41-vjeçare, ky mund të jetë vërtet fundi dhe Cristiano Ronaldo do të largohet i qetë.

Një ditë para asaj që mund të jetë ndeshja e fundit e karrierës së tij të jashtëzakonshme me kombëtaren, e vërteta që të gjithë e dinin, por që kapiteni i Portugalisë ishte përpjekur të mos e shprehte hapur, më në fund doli në pah.

“Kjo do të jetë Kupa ime e fundit e Botës; me ndihmën e Zotit, shpresoj që nesër të mos jetë ndeshja ime e fundit,” tha ai.

Dhe nëse është, atëherë le të jetë. Nëse duhet të largohet pa e fituar të vetmin trofe që i ka rezistuar, atëherë kështu qoftë.

“Nuk më mungon asgjë; Zoti ka qenë bujar me mua,” tha Ronaldo.

“Nuk do të jem më shumë Cristiano apo më pak Cristiano nëse e fitoj Kupën e Botës apo jo”, shtoi ai.

Herën e parë që Ronaldo luajti për Portugalinë ishte kundër Kazakistanit në “Estádio Municipal Eng. Manuel Branco Teixeira” në Chaves, para 8,000 tifozëve, kur hyri në fushë në fillim të pjesës së dytë në vend të Luís Figos; hera e fundit mund të jetë kundër Spanjës në “Dallas Stadium” në Arlington, Teksas, përpara 80,000 spektatorëve.

Humbja në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës do ta eliminonte Portugalinë dhe do t’i jepte fund rrugëtimit të tij në këtë skenë.

Kështu, konferenca e fundit për shtyp para asaj që mund të jetë ndeshja e fundit ishte momenti i Ronaldos, sikur po e përjetonte gjithçka, madje ndoshta edhe po e shijonte.

Në tri gjuhë dhe përballë një salle të mbushur plot, pati disa shaka dhe disa thumbime të vogla, kryesisht të thëna me buzëqeshje.

Ai vuri në dukje se për dy dekada janë përpjekur ta “vrasin” dhe theksoi se tre gola në këtë turne nuk janë aspak keq.

Kur iu sugjerua se mund të mos kthehej më, ai u përgjigj: “Ju nuk doni që unë të kthehem”.

“Gjithmonë bëni të njëjtën pyetje, nëse kjo është e fundit. Do ta shohim. Nuk dua të tërheq vëmendjen te kjo, nuk është e rëndësishme; e rëndësishme është nëse do të kalojmë më tej,” kishte këmbëngulur Ronaldo në fillim, por ai foli si një njeri që e di se koha ka ardhur, shkruan “The Guardian”.

Pastaj e tha qartë se kishte ardhur dhe ajo që thuhet nuk mund të zhbëhet. Fundi vetëm mund të shtyhet: edhe një ditë, edhe një raund. Katër të tjerë, maksimumi.

“Dita do të vijë,” tha ai, “por, sinqerisht, çfarëdo që të ndodhë nesër, do të largohem me ndërgjegje të pastër, jo 100%, por 1,000%, sepse i kam dhënë gjithçka futbollit. Nuk kam nevojë për të; jetoj mirë, por kjo ka të bëjë me pasionin. Luaj futboll sepse e dua. Çfarëdo që të ndodhë nesër, nuk mund t’i bëj presion vetes duke thënë se e kemi detyrim të fitojmë. Jo, çfarë të jetë, le të jetë. Duhet ta shijosh çdo ditë. Dhe kam shënuar tre gola. Nuk po bëj edhe aq keq, apo jo?”, shtoi ai.

“Kanë provuar të më vrasin për 23 vjet. Nuk ka kuptim t’i kushtosh shumë vëmendje kësaj. Është pjesë e kësaj jete… Njerëzit në Portugali kanë besim, nuk na kanë zhgënjyer kurrë, janë gjithmonë në anën tonë, në anën time. Gjithë të tjerat janë marrëzira. Nuk kanë aspak rëndësi. Nuk më mungon asgjë në jetë. Zoti më ka dhënë gjithçka, më shumë sesa kam pritur ndonjëherë. Mosha të jep pjekuri dhe përvojë. Madje jam mirënjohës edhe për sulmet që marr. Kështu rritesh si njeri; ato më kanë bërë më të fortë dhe ju falënderoj ju, gazetarëve, sepse falë kësaj jam rritur edhe më shumë”, vazhdoi tutje CR7.

“Duhet ta shijosh çdo ditë, si Kupën e fundit të Botës, që edhe do të jetë, por shpresoj, shpresoj që nesër të mos jetë dita e fundit. Shpresoj. Pastaj mund të vazhdoni të përpiqeni të më vrisni edhe pak më shumë”, e mbylli Ronaldo./GazetaExpress/

m