Humb jetën tragjikisht 37-vjeçari shqiptar në Zvicër

Blerim S., një 37-vjeçar shqiptar, ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident trafiku në kantonin Aargau të Zvicrës. Ai ishte baba i tre fëmijëve dhe një figurë e njohur në komunitetin shqiptar atje. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim nga autoritetet zvicerane.

Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, pak pas orës 18:30, në Birrfeldstrasse, pranë Wohlenschwilit. Për arsye ende të panjohura, automjeti i tipit Renault, që drejtohej nga 37-vjeçari, doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ure.

Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve, Blerim S. ndërroi jetë në vend.

I ndjeri banonte në rajonin e Wohlenit, ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai punonte në një kompani të njohur të industrisë së orëve dhe njihej si një tifoz i pasionuar i futbollit, madje ishte aktiv edhe në një klub futbollistik lokal.

Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar tronditje të thellë te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Një mikesha e familjes ka deklaruar për mediat zvicerane se humbja e tij ka prekur thellësisht të gjithë ata që e njihnin.

“Është jashtëzakonisht tragjike që ai nuk është më mes nesh. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët”, është shprehur ajo.

Dhimbja është e madhe edhe në komunitetin shqiptar në Zvicër, ku Blerim S. gëzonte respekt dhe vlerësim. Sipas të afërmve, babai i tij kishte qenë një figurë e njohur për angazhimin e tij në çështjen e çlirimit të Kosovës.

Në vendin e aksidentit janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur pikëllimin edhe përmes rrjeteve sociale.

Autoritetet e kantonit Aargau kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Deri më tani nuk është zbardhur nëse në aksident kanë ndikuar probleme shëndetësore, shpejtësia e lartë apo faktorë të tjerë.