Aksion kundër kontrabandës së naftës: Nëntë të arrestuar në Kosovë

Nëntë persona janë arrestuar si rezultat i një operacioni të gjerë bastisjesh që ka nisur sot në mëngjes në disa zona të Kosovës, duke shënjestruar dhjetëra biznese të shitjes së naftës dhe disa importues të saj.

Aksioni, i cili ende është duke u zhvilluar, po drejtohet nga Prokuroria e Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën dhe njësitë e ndryshme të Policisë.

Burime të Prokurorisë kanë konfirmuar për mediat se deri më tani janë vënë në pranga nëntë persona.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash të gatshme, armë, kompjuterë, fatura të dyshuara si fiktive, si dhe dokumente të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të rrjetit.

Sipas dyshimeve fillestare të hetuesve, nafta importohej fillimisht nga kompani kosovare dhe kalonte në tranzit nëpërmjet territorit të Shqipërisë. Për shkak të diferencave në taksat e akcizës dhe tatimet mbi naftën mes dy vendeve, dyshohet se një pjesë e karburantit shkarkohej në Shqipëri dhe më pas shitej në tregun e zi, duke shmangur detyrimet fiskale dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.