Daut Haradinaj kritikon ashpër Shkëlzen Gashin: Ekspozita fyen UÇK-në dhe viktimat e luftës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër ish-këshilltarin e Albin Kurtit, Shkëlzen Gashin, lidhur me një ekspozitë të hapur këtë javë në një shesh të Prishtinës. Sipas Haradinajt, ekspozita përmban mangësi të theksuara rreth masakrave serbe në Kosovë dhe përbën fyerje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe viktimat e luftës.

Haradinaj theksoi se kjo nuk është hera e parë që Gashi fyen UÇK-në, duke shtuar se veprime të tilla ai i ka bërë vazhdimisht përmes mekanizmave shtetërorë të drejtuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Në një reagim të tij, Haradinaj shkroi: “Mirënjohje për Astrit Gjocin, edhe pse ky turp është vështirë të mbulohet. Ekspozitat e tilla, me vetëdije, kanë për qëllim amnistimin e krimeve makabre të shtetit gjenocidial serb në Kosovë. Nuk është hera e parë që ky autor, përmes mekanizmave shtetërorë të udhëhequr nga partia në pushtet, fyen UÇK-në, e tash fyen edhe viktimat e luftës. Këto veprime janë të papranueshme, janë një fyerje e rëndë për kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës.”

Më tej, deputeti Haradinaj theksoi se shtrembërimi i tillë i fakteve nuk është asgjë tjetër veçse një agjendë e Serbisë.