David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme, ka theksuar se demokracia kërkon kompromis dhe jo thjesht fitore zgjedhore, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë. Ai thekson se testi i vërtetë për vendin nis pas votimit, me formimin e institucioneve stabile.

Në një deklaratë për Front Online, Phillips shpjegon se themeli i demokracisë nuk është vetëm votimi, por edhe aftësia e udhëheqësve politikë për të arritur kompromise, për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, në shërbim të interesave të qytetarëve.

Ai shton se prova e vërtetë për Kosovën do të fillojë pas zgjedhjeve, kur partitë politike do të duhet të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi shtetërore.

“Demokracia kërkon akomodim të ndërsjellë. Votuesit mund të dëshirojnë fitore në kutitë e votimit, por kur vjen puna te formimi i qeverisë, partitë politike duhet t’i lënë mënjanë interesat e ngushta, duke u shërbyer të mirës së përgjithshme,” citon ai.

Phillips thekson se formimi i institucioneve të qëndrueshme do të jetë sfida kryesore pas zgjedhjeve. Kompromisi dhe sakrifica politike janë thelbësore për një funksionim demokratik të shtetit, shton ai.

“Kjo kërkon pjekuri politike dhe sakrificë,” ka pohuar Phillips, duke vënë theksin se interesat shtetërore duhet të primejnë mbi ato partiake.

Ai bën me dije se partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët po e ndjekin me vëmendje zhvillimin politik në Kosovë, si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve. “Donatorët dhe partnerët e sigurisë presin që udhëheqësit politikë të Kosovës të tregojnë mençuri për të ndërmarrë hapa drejt përparimit të shoqërisë,” ka nënvizuar ai.

Phillips vlerëson se sfida kyçe për Kosovën nuk është thjesht mbajtja e zgjedhjeve, por periudha që vijon më pas. “Testi i rëndësishëm për Kosovën do të vijë pas zgjedhjeve,” ka përfunduar ai, duke iu referuar procesit të formimit të qeverisë dhe krijimit të institucioneve funksionale.