Operacionet në dy klinika të QKUK-së pezullohen përkohësisht për shkak të problemit me energjinë elektrike

Një problem teknik në sistemin e furnizimit me energji elektrike ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të operacioneve në sallat e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale dhe Klinikës së Kirurgjisë Plastike, të cilat veprojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, konfirmoi se problemi është shfaqur në orët e para të mëngjesit dhe lidhet me një defekt teknik në kontaktorin e sistemit gjenerator-rrjet.

“Bazuar në të dhënat nga Sektori i Shërbimeve Teknike në QKUK, sot, në orët e mëngjesit, është paraqitur një defekt teknik në kontaktorin e sistemit gjenerator-rrjet,” deklaroi Qyqalla.

Si pasojë e këtij defekti, janë dëmtuar transformatorët e dedikuar që furnizojnë me energji elektrike sallat operative të Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Abdominale.

Qyqalla theksoi se ekipet teknike kanë reaguar menjëherë dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defektit dhe rikthimin e plotë të funksionalitetit në sallat e prekura.

“Ekipi i mirëmbajtjes teknike ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për sanimin e defektit dhe është duke punuar intensivisht për eliminimin e pasojave të tij,” shtoi zëdhënësja e QKUK-së.

Ajo bëri të ditur se, sipas planifikimeve aktuale, pritet që gjatë ditës së sotme të funksionalizohen sërish këto dy salla operative. Ndërkaq, theksoi se pjesa tjetër e rrjetit elektroenergjetik në sallat e tjera operative është funksionale dhe nuk ka pasur probleme në furnizimin me energji elektrike.