Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje mbi takimin dhe drekën e punës që zhvilloi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.

Kurti bëri të ditur se takimi, i cili zgjati rreth dy orë, u përqendrua në rolin thelbësor dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Gjatë bisedës, Kryeministri Kurti i kërkoi Presidentit Macron mbështetjen e Francës për rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në organizatat ndërkombëtare. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të biznesit Kosovë–Francë.

Në postimin e tij pas takimit, Kurti shtoi: “Gjithashtu, në takim ngrita çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.”

Kryeministri Kurti falënderoi Presidentin Macron për pritjen e përzemërt dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Republikës së Kosovës.