Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar sot vlerësimin e saj analitik mbi pesë ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026.
Violeta Haxholli nga DNV tha se në këto zgjedhje po garojnë gjithsej 21 subjekte politike me 902 kandidatë, prej të cilëve vetëm 34% janë gra. Ajo theksoi se për dallim nga zgjedhjet e dhjetorit 2025, subjektet politike kanë rifreskuar listat e tyre të kandidatëve, në disa raste edhe deri 50%, por pjesëmarrja e grave në lista ka mbetur relativisht e njëjtë. Numri më i madh i kandidatëve vjen nga komunat me peshë më të madhe elektorale. Kështu, Prizreni prin me numrin më të madh të kandidatëve në nivel vendi me gjithsej 157 kandidatë, pasuar nga Prishtina me 153, Ferizaj me 77, Peja 68 dhe Fushë Kosova me 55 kandidatë.
“Oferta programore e subjekteve politike në këto zgjedhje mund të vlerësohet si riciklim i ofertës së kaluar, por i ambalazhuar në formë të zotimeve, kryesisht të orientuara në fushën e energjisë, pagave, skemave sociale, zhvillimit të infrastrukturës dhe teknologjisë. Shumica e subjekteve politike shqiptare kanë publikuar tanimë këto programe në uebfaqet e tyre zyrtare. Një shqetësim i vazhdueshëm mbetet konkurrenca e pabarabartë në garën zgjedhore. Përdorimi i resurseve publike para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, përfshirë vendimet e qeverisë në detyrë për shpërndarje të përfitimeve financiare për qytetarët kanë krijuar avantazh të padrejtë elektoral për partinë në pushtet”, tha ajo.
Sa i përket ecurisë së fushatës, ajo tha se në pesë ditët e para është vërejtur intensitet më i lartë i aktiviteteve zgjedhore në terren, ku subjektet politike janë përqendruar në tubimet hapëse të fushatës në qendrat kryesore të Kosovës. Janë evidentuar edhe raste të përdorimit të fëmijëve në disa tubime të subjekteve politike, për të cilat tashmë janë deponuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Për dallim nga rrjedha e qetë e aktiviteteve zgjedhore në terren, fushata në hapësirën online, përkatësisht në rrjete sociale është dukshëm më e ashpër, për shkak të gjuhës së urrejtjes që shpërfaqet nga përkrahësit e partive. Në anën tjetër, përdorimi i gjuhës fyese dhe diskriminuese nga subjektet politike, ndonëse në nivel më të ulët krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore, tregon se hapësira online vazhdon të paraqesë sfida serioze për cilësinë e debatit publik”.
Gjatë periudhës 5-ditore janë identifikuar 56 raste që përfshijnë gjuhë urrejtjeje, gjuhë shpifëse ose përçmuese, dezinformim dhe përmbajtje jashtë kontekstit. Nga këto raste, 35 janë klasifikuar si gjuhë urrejtjeje, 19 si gjuhë shpifëse ose përçmuese dhe 2 si dezinformim. Pothuajse gjysma e rasteve të evidentuara kanë për cak gratë pjesëmarrëse në garën zgjedhore, thotë DnV.
Monitorimi i 152 portaleve informative në gjuhën shqipe dhe serbe ka evidentuar mbi 7 mijë komente që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, që përfaqësojnë rreth 6% të totalit të komenteve të analizuara gjatë periudhës së monitorimit.
“Të dhënat tregojnë një nivel shqetësues të sulmeve verbale në hapësirën online, veçanërisht ndaj grave pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, duke ndikuar negativisht në cilësinë e debatit publik dhe në pjesëmarrjen e tyre në diskursin politik”.
DnV thotë se fushata po karakterizohet nga një shkallë e theksuar personalizimi dhe centralizimi, ku liderët politikë dhe kandidatët për pozitat kryesore dominojnë aktivitetet publike dhe komunikimin politik, ndërsa kandidatët për deputetë kanë rol më të kufizuar në paraqitjet publike dhe mediale. Si rezultat, kandidatët po shfrytëzojnë më shumë rrjetet sociale për promovimin e tyre, përmes publikimit të qëndrimeve, fotografive dhe videove nga takimet me qytetarët. Po ashtu, është evidentuar rritje e përdorimit të videove kreative me efekte vizuale, duke reflektuar angazhimin e kompanive të specializuara të dizajnit dhe prodhimit të përmbajtjes, gjë që tregon për rritje të shpenzimeve në fushatën digjitale. Numri i postimeve që bëhen nga kandidatët e partive arrin deri në 300 në ditë.
“Në aspektin e sponsorizimit të përmbajtjes në Facebook, vlerat e shpenzuara gjatë pesë ditëve variojnë nga 10,000 deri në 12,000 euro në total, duke treguar një intensifikim të dukshëm të investimeve në komunikimin online. Haxholli theksoi se këto trende tregojnë se rrjetet sociale po shndërrohen në një nga platformat kryesore të komunikimit politik, si për shpërndarjen e mesazheve, ashtu edhe për ndërtimin e imazhit publik të kandidatëve”.
Sa i përket hapësirës në media dominojnë emisione apo debate me vetëm një subjekt ose një kandidat përballë gazetarëve (gjithsej 28 emisione), ndërsa debatet me analistë numërojnë 17. Emisionet me pjesëmarrjen e më shumë subjekteve janë 9, ndërsa ballafaqimet e drejtpërdrejta mes dy kandidatëve mbeten shumë të rralla, me vetëm 2 raste.
Në debatet televizive vërehet një pabarazi e theksuar gjinore, ku burrat përbëjnë rreth 80% të pjesëmarrësve, ndërsa gratë vetëm 20%. Kurse, në kronikat zgjedhore, hapësira mediale paraqitet më e balancuar në shikim të parë, me 60% të kohës së dedikuar për burra dhe 40% për gra.
Në kontekstin e administrimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit, kryesisht me një vendimmarrje konsensuale. Megjithatë, shqetësues vendimi i fundit i KQZ-së për t’ua lënë në diskrecion partive politike çështjen e emërimit të komisionerëve – ndonëse në këto lista mund të ketë komisionerë që po hetohen për keqpërdorime në zgjedhjet e dhjetorit të 2025-tës. Kjo bie ndesh me standardet e integritetit zgjedhor.
Ndërsa, sa i përket mekanizmave të ankesave, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar 3 ankesa nga subjektet politike, prej të cilave dy lidhen me përdorim të fëmijëve në fushatë dhe një me gjuhë nxitëse dhe urrejtëse. Është vendosur vetëm për një rast, ku ankesa është refuzuar si e pabazuar.
Në përgjithësi, gjetjet e pesë ditëve të para të fushatës tregojnë se procesi zgjedhor po zhvillohet në një ambient përgjithësisht të qetë dhe konkurrues, por që vazhdon të përballet me sfida që lidhen me barazinë e garës, cilësinë e debatit publik dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në hapësirën digjitale.
Në këtë kontekst, u bëhet thirrje subjekteve politike që të përqendrohen në ofertat e tyre programore dhe në prezantimin e zgjidhjeve konkrete për qytetarët, duke iu përmbajtur rreptësisht rregullave dhe standardeve për gjuhën e përdorur në fushatë, si dhe duke shmangur përdorimin e resurseve publike dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet zgjedhore.
Në të njëjtën kohë, qytetarët dhe votuesit inkurajohen që të informohen për programet e subjekteve politike dhe të përfshihen më shumë në debate përmbajtjesore mbi politikat publike dhe zgjidhjet që ofrohen në këtë proces zgjedhor.
