**Dogana ndalon 25% të 23,500 eurove të padeklaruara në Merdarë**

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare gjatë kontrollit të një automjeti në pikëkalimin kufitar Merdarë, në dalje nga Kosova.

Automjeti ishte përzgjedhur për kontroll pas një analize të riskut. Gjatë intervistimit fillestar, udhëtari mohoi të posedonte mallra ose para që i nënshtroheshin deklarimit. Pas kësaj, automjeti u referua për një kontroll më të detajuar.

“Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u zbuluan mjete monetare të padeklaruara në dy lokacione të ndryshme të automjetit. Një shumë prej 10,000 eurosh u gjet në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro të tjera u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit. Në total, shuma e evidentuar ishte 23,500 euro”, njoftoi Dogana.

Personi posedonte gjithashtu një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29.06.2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare, të datës 01.07.2026, të cilat shërbenin si dokumentacion mbi prejardhjen e mjeteve monetare.

“Pas konstatimit të mosdeklarimit, rasti iu referua menjëherë oficerit kujdestar të Hetimeve Doganore për trajtim të mëtejmë. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, i cili rregullon deklarimin e mjeteve monetare gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Kosovës, ndaj palës u aplikuan masat e parapara ligjore. Duke qenë se personi kishte dokumentuar burimin e ligjshëm të mjeteve monetare, u vendos ndalimi i 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit, në pajtim me procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi”, shpjegoi Dogana.

Dogana e Kosovës rikujton se çdo person fizik që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës me mjete monetare në vlerë prej 10,000 eurosh ose më shumë (apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme) ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.

Mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë përbën kundërvajtje dhe sjell pasoja ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm ose konfiskimin e një pjese të mjeteve monetare, sipas legjislacionit në fuqi.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe forcimin e kontrolleve në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit financiar”, theksoi institucioni.