Vasfije Krasniqi viziton shtëpinë ku u dhunua: “Nuk munda të hyj në dhomën ku ndodhi krimi”
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka ndarë një rrëfim thellësisht prekës në llogarinë e saj në Facebook, duke treguar se pas shumë vitesh është rikthyer në një prej vendeve ku përjetoi krimin që, siç thotë ajo, i ndryshoi jetën përgjithmonë.
Në postimin e saj, Krasniqi-Goodman shkruan se kthimi i saj ishte në shtëpinë ku, si një vajzë 16-vjeçare, përjetoi për herë të dytë tmerrin e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ajo shpjegon se shtëpia e parë ku ndodhi krimi nuk ekziston më, ndërsa kjo shtëpi ende qëndron. Megjithatë, Krasniqi-Goodman nuk ka mundur të hyjë brenda saj, pasi dikush ishte në oborr duke punuar.
“Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi”, ka shkruar ajo në platformën sociale.
Për të tjerët, ky mund të jetë thjesht një vend, por për të, siç thekson ajo, ai mbetet një pjesë e errët e historisë së saj personale.
“Është një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim”, shprehet Krasniqi-Goodman.
Ajo bën të qartë se nuk është kthyer aty për të kërkuar mëshirë, por për të konstatuar me sytë e saj se vendi ende ekziston, ndërsa ajo vetë vazhdon të jetojë me pasojat e rënda të asaj që ndodhi brenda këtij objekti.
“Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, përfundon rrëfimin e saj prekës e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës.
