Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci për dyshimet se ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj.
Kërkesa, e siguruar nga portali “Betimi për Drejtësi”, detajon rrethanat e incidentit, ku thuhet se kërcënimet ndodhën në zyrat e portalit “Vox Kosova” dhe më pas pranë godinës së një televizioni.
Sipas dosjes së Prokurorisë, dyshohet se më 11 tetor 2016, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, Geci ka kanosur drejtpërdrejt gazetarin Mehmetaj. Kërcënimi erdhi si pasojë e një postimi të publikuar nga gazetari në rrjetin social Facebook, që lidhej me deputetin Fatos Geci. Pasi Mehmetaj kishte refuzuar kërkesën e Gecit për të larguar ose ndryshuar përmbajtjen e postimit, ky i fundit dyshohet se i ka thënë: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”. Më pas, ai dyshohet se ka përsëritur kërcënimin me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Dosja thekson gjithashtu se, një ditë më vonë, më 12 tetor 2016, teksa gazetari Mehmetaj ishte panelist në emisionin “Debat Plus”, Geci kishte shkuar pranë godinës së televizionit. Aty, ai kishte postuar një video në rrjetin social TikTok për t’i bërë me dije Mehmetajt praninë e tij, duke e pritur për rreth dy orë që të dilte nga studioja.
Këto veprime thuhet se kanë shkaktuar te gazetari Mehmetaj ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë. Për rrjedhojë, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës.
