Drejtësia mbetet sfidë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, prezantohen dokumente strategjike për mbështetjen e tyre

Edhe pas afro tre dekadash nga përfundimi i luftës në Kosovë, drejtësia mbetet një sfidë e pazgjidhur për viktimat e dhunës seksuale, sidomos ato të kryera nga forcat serbe. Shumë prej këtyre rasteve kanë mbetur të pandëshkuara, duke lënë pasoja të thella dhe plagë të hapura në shoqërinë kosovare.

Për këtë arsye, sot u prezantuan tri dokumente strategjike që synojnë të mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në kërkimin e drejtësisë.

“Mungesa e llogaridhënies penale thellon stigmën, duke e bërë edhe më të vështirë procesin e shërimit për të mbijetuarit. Qëllimi ynë sot është të flasim për drejtësi, ta kërkojmë atë dhe ta bëjmë më të arritshme. Po prezantojmë tri dokumente strategjike që synojnë të rrisin ndjeshmërinë, besimin dhe trajtimin dinjitoz, duke vënë në qendër të mbijetuarit,” theksoi Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), raporton RTK.

“Përmes politikave të ndryshme është ndikuar në rritjen e nivelit të transparencës dhe në përmirësimin e qasjes së palëve në drejtësi. Gjithashtu, mekanizmat mbrojtës, si dhoma e sigurt në gjykata, u mundësojnë palëve të kërkojnë drejtësi pa frikë dhe të japin dëshmi në mënyrë të sigurt,” u shpreh Arjeta Sadiku, ushtruese detyre kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Kur një person përjeton dhunë ekstreme, truri nuk regjistron kujtesa, por mbijetesë. Nëse dhuna nuk flet gjuhën e drejtësisë, atëherë drejtësia duhet të mësojë gjuhën e traumës,” theksoi Selvi Izeti Çarkaxhiu, psikologe klinike në QKRMT.

Manualet e prezantuara përfshijnë: “Manuali për qasje të sigurt dhe të ndjeshme në drejtësi,” i cili synon parandalimin e ritraumatizimit, duke forcuar cilësinë e ndjekjes penale; “Udhëzuesi praktik për përdorimin e dhomës së sigurt në gjykata,” që adreson pasojat e thella psikologjike, stigmatizimin shoqëror dhe frikën nga përballja me të akuzuarin; dhe “Udhëzuesi praktik ‘Qasja e ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’,” i cili ka për qëllim promovimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar në sistemin e drejtësisë.