Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, festoi ditëlindjen e tij në një darkë festive që shënoi një moment simbolik. I rrethuar nga figura të larta dhe personalitete të njohura të qeverisjes kontinentale të futbollit, Duka përjetoi një mbrëmje të veçantë.
Pika kulmore e festës ishte gjesti i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin. Në një video të shpërndarë, kreu i UEFA-s u pa teksa ngrihej personalisht për t’i dorëzuar Dukës një dhuratë simbolike: një top futbolli, i cili besohet se mban edhe firmat e kolegëve të Komitetit Ekzekutiv.
Ky gjest u prit me duartrokitje dhe urime të shumta nga të pranishmit, ndërsa në sallë dëgjoheshin qartë thirrjet “Bravo Armand!”.
Duka, i prekur nga surpriza, e pranoi dhuratën duke vendosur dorën në zemër në shenjë falënderimi. Më pas, ai ngriti topin lart për t’ua treguar të ftuarve, para se të shkëmbente një përqafim të ngrohtë me Ceferin.
