Sistemi Prokurorial i Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me trajtimin e rasteve nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), për periudhën 3–17 prill 2026.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar gjithsej 97 raste të reja në nivel vendi, ku pjesa dërrmuese i përket dhunës në familje.
Nga numri total i rasteve, 90 raste janë klasifikuar si dhunë në familje, 1 rast dhunim, 1 rast keqpërdorim seksual nën moshën 16 vjeç, 2 raste sulm seksual dhe 3 raste keqtrajtim apo braktisje e fëmijës.
Në aspektin procedural, mbrojtësit e viktimave kanë parashtruar 13 kërkesa për urdhër mbrojtje në gjykatë dhe 16 kërkesa për urdhër mbrojtje emergjente. Po ashtu, është regjistruar 1 kërkesë për ndërprerje dhe 2 për ndryshim të urdhrit mbrojtës.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë 25 aktvendime të aprovuara, 2 të refuzuara dhe 2 të tërhequra, raporton IndeksOnline.
Aktiviteti gjyqësor ka qenë i ngarkuar, me gjithsej 114 seanca gjyqësore dhe 25 seanca në prokurori, ndërsa janë ofruar 100 këshilla juridike për viktimat.
Sa i përket epilogut të rasteve, janë shqiptuar 30 aktgjykime dënuese, 1 lirues dhe 5 refuzuese.
Gjithashtu, janë evidentuar edhe veprime të tjera mbështetëse, përfshirë përfaqësim të rasteve në polici, referime në institucione përkatëse si Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), si dhe kërkesa dhe vendime për kompensimin e viktimave.
Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe janë aprovuar 4 vendime për kompensimin e viktimave, ndërsa është paraqitur edhe një kërkesë e re për këtë çështje.
