**Liridon Restelica lirohet pas arrestimit për dyshime për veprimtari të paligjshme me prona**
Liridon Restelica, ish-kryeshefi i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, është liruar ditën e enjte, pasi u arrestua në kuadër të një aksioni të Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, lidhur me dyshime për veprimtari të paligjshme me prona.
Restelica, së bashku me Fitim Sertollin dhe Ndriçim Sogojevën, u arrestuan nën dyshimin për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjeve të rreme në lidhje me tjetërsimin e pronave.
Pas intervistimit, Restelica është liruar në procedurë të rregullt, siç raporton IndeksOnline.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit kryen bastisje në katër lokacione të ndryshme gjatë ditës së enjte. Këto përfshinin shtëpitë e të dyshuarve dhe zyrat e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Gjatë këtyre bastisjeve, autoritetet sekuestruan prova materiale që përfshinin: një veturë Audi Q7 të vitit 2017 (me vlerë rreth 40,000 euro), një veturë Skoda (me vlerë rreth 38,000 euro), një orë dore Rolex, si dhe pajisje teknologjike si pesë telefona, katër USB, një laptop dhe një disk të jashtëm (HDD).
