Policia në Ferizaj ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në disa raste të veprës penale “vjedhja e rëndë”, të ndodhura gjatë muajve të fundit.

Sipas njoftimit në Facebook, Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Ferizaj, gjatë periudhës nëntor 2025 – prill 2026, ka zhvilluar hetime për disa vjedhje të kryera në qytet dhe në fshatrat përreth, përfshirë Sojevën, Babushin, Dardaninë, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën.

Vjedhjet, sipas policisë, janë kryer kryesisht në objekte afariste, si dyqane dhe fabrika, ku janë marrë para dhe sende me vlerë.

Pas veprimeve hetimore, përfshirë analizimin e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e informacioneve në terren, si i dyshuar është identifikuar S.T., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka kryer veprat pavarësisht përpjekjeve për t’u maskuar.

“Më 25.04.2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, është realizuar kontroll në shtëpinë e tij, ku janë gjetur prova materiale, përfshirë veshje dhe mjete të përdorura në kryerjen e veprave. I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit, duke shfrytëzuar të drejtën për të heshtur”.

“Me autorizim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore”, thotë PK.