**Alarm për mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës, policia rrethon zonën**
Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes ka vënë në lëvizje sot në mëngjes Policinë e Kosovës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Autoritetet policore bënë të ditur se rreth orës 08:00 është pranuar një njoftim për praninë e një mjeti të dyshuar shpërthyes në këtë lokacion, pas të cilit njësitet policore kanë reaguar menjëherë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
“Rreth orës 08:00 kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë,” deklaroi Pllana. “Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar janë evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e rastit.”
Policia ka rrethuar zonën me shirita sigurie dhe ka kufizuar qasjen në perimetrin përreth. Njësitet e specializuara aktualisht po kryejnë kontrolle dhe ekzaminime për të verifikuar informacionin.
Deri më tani nuk është konfirmuar nëse dyshimet për mjet shpërthyes janë të vërteta. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të kontrolleve në vendin e ngjarjes.
