**Depresioni pas lindjes prek edhe baballarët, por simptomat shpesh mbeten të padiagnostikuara**

Depresioni pas lindjes nuk është vetëm çështje e nënave. Studime të reja theksojnë se edhe baballarët mund të preken nga ankthi, stresi dhe depresioni pas ardhjes në jetë të fëmijës, megjithatë simptomat e tyre shpesh shfaqen ndryshe dhe mbeten të padiagnostikuara.

Dihet prej kohësh se nënat e reja mund të përjetojnë trishtim të thellë, ankth dhe vështirësi të tjera emocionale pas lindjes. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo gjendje mund të prekë edhe baballarët, ndonëse manifestimi i saj te burrat është shpesh i ndryshëm dhe për rrjedhojë, mbetet më pak i diagnostikuar.

Depresioni pas lindjes mendohet se prek rreth një në shtatë nëna të reja. Te gratë, simptomat mund të shfaqen gjatë shtatzënisë ose brenda vitit të parë pas lindjes, duke përfshirë humor të zymtë, probleme me gjumin, vështirësi në përqendrim, ndjenjë faji dhe sfida në krijimin e lidhjes me foshnjën. Në raste ekstreme, mund të shfaqen edhe mendime për vetëlëndim ose dëmtim të foshnjës.

Shkaqet e sakta nuk janë kuptuar plotësisht, por besohet se luajnë rol ndryshimet hormonale pas lindjes (si ulja e estrogjenit dhe progesteronit), si dhe faktorë të tjerë si lindja e parakohshme apo probleme shëndetësore te foshnja.

**Të paktën një në dhjetë baballarë mund të preken**

Edhe pse vlerësohet se depresioni pas lindjes prek të paktën një në dhjetë burra, kërkimet mbi këtë gjendje te baballarët kanë qenë historikisht të kufizuara. Pas një studimi të madh të publikuar këtë vit, ekspertët kërkojnë më shumë vëmendje ndaj shëndetit mendor të baballarëve të rinj. Ata theksojnë se edhe te burrat, kjo gjendje mund të lidhet me ndryshime hormonale, por shenjat ndryshojnë dukshëm nga ato të grave.

Psikologu Brett A. Biller, nga Qendra Mjekësore Universitare Hackensack, shpjegoi se periudha para dhe pas lindjes sjell ndryshime thelbësore edhe për baballarët. “Baballarët e rinj shpesh përjetojnë ndryshime hormonale, si ulja e testosteronit dhe rritja e estrogjenit e kortizolit. Këta janë mekanizma që ndihmojnë në krijimin e lidhjes me fëmijën, por njëkohësisht mund t’i bëjnë ata më të ndjeshëm ndaj depresionit dhe ankthit”, u shpreh ai. Testosteroni i ulët është lidhur në disa studime me depresionin, ndërsa kortizoli njihet si hormoni kryesor i stresit.

**Rreziku rritet nëse preket edhe partnerja**

Sipas ekspertëve, rreziku që një baba të zhvillojë depresion pas lindjes mund të arrijë deri në 50% nëse edhe partnerja e tij përballet me të njëjtën gjendje. Megjithatë, vlerësohet se vetëm rreth një në dhjetë raste te burrat diagnostikohet zyrtarisht, duke theksuar se shumë baballarë vuajnë në heshtje.

Një studim i gjerë suedez, i publikuar në “JAMA Network Open”, analizoi mbi një milion baballarë. Studiuesit zbuluan se diagnozat për depresion dhe çrregullime të lidhura me stresin u rritën me rreth 30% drejt fundit të vitit të parë pas lindjes, krahasuar me periudhën para shtatzënisë së partneres. Autorët theksojnë se përgjegjësitë dhe presioni i atësisë mund të rëndohen me kalimin e kohës, ndërsa mbështetja pas lindjes për burrat mund të jetë e pamjaftueshme.

**Simptomat te burrat mund të jenë më agresive**

Ndryshe nga nënat, ku simptomat shpesh shfaqen si trishtim, izolim dhe tërheqje emocionale, baballarët mund të bëhen më nervozë, të zemëruar ose agresivë. Disa mund të kërkojnë arratisje përmes alkoolit apo substancave të tjera. Shenja të tjera përfshijnë tërheqjen nga jeta shoqërore, dhimbjet e shpeshta të kokës ose stomakut dhe humbja e interesit për aktivitete që më parë u sillnin kënaqësi.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo gjendje mund të tensionojë marrëdhëniet familjare dhe të rrisë rrezikun e problemeve emocionale e sjellore te fëmijët.

**Mungesa e gjumit dhe presioni financiar ndikojnë**

Sipas Billerit, gjumi i pamjaftueshëm, vështirësitë financiare dhe ndryshimet në marrëdhënien me partneren janë ndër faktorët që mund të përkeqësojnë shëndetin mendor të baballarëve. Shumë burra shmangin kërkimin e ndihmës, shpesh nga frika se mos e largojnë vëmendjen nga partnerja dhe nevojat e saj pas lindjes. Studiuesit suedezë sugjeruan se numri i ulët i diagnozave nuk do të thotë domosdoshmërisht që burrat kanë më pak simptoma. Shumë baballarë mund t’i minimizojnë ose fshehin problemet emocionale dhe të mos kërkojnë ndihmë gjatë shtatzënisë së partneres apo pas lindjes.

**Nevojitet më shumë vëmendje ndaj baballarëve**

Ekspertët theksojnë se depresioni dhe ankthi te baballarët mund të jenë shumë më të përhapur nga sa tregojnë statistikat aktuale. “Mund të hamendësojmë vetëm se sa i përhapur është depresioni dhe ankthi te baballarët, por sa pak raste njihen, sepse burrat janë më të rezervuar ose nuk dinë si t’i raportojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmë”, theksoi Biller. Studiuesit bëjnë thirrje që kujdesi pas lindjes të mos përqendrohet vetëm te nëna dhe foshnja, por të përfshijë në mënyrë më të rregullt edhe shëndetin mendor të babait.