Përplasje mes Çiljeta Xhilagës dhe Gjergj Lekës, shkak një imazh i rremë me AI

Një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale ka ndezur një debat të ashpër publik mes këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe artistit Gjergj Leka. Xhilaga u bë qendra e vëmendjes pas shpërndarjes së një fotografie të rreme, e cila nxiti reagimin e Lekës.

Debati nisi pas qarkullimit në rrjetet sociale të një imazhi të përpunuar, i cili pretendonte se Presidenti i Republikës i kishte akorduar Çiljetës titullin “Mjeshtër i Madh”. Ky “lajm” ishte qartësisht i rremë, por shkaktoi konfuzion dhe reagime të menjëhershme.

Ndër të parët që reagoi ishte Gjergj Leka, i cili e cilësoi postimin si “sarkazma e vitit”, duke theksuar se, nëse lajmi do të ishte i vërtetë, “do të ishte dita më e turpshme e presidentit shqiptar”.

Reagimi i Çiljeta Xhilagës nuk vonoi. Këngëtarja sqaroi publikisht se nuk kishte marrë asnjë dekoratë, duke i kujtuar Lekës se bëhej fjalë për një lajm të rremë. Në përgjigjen e saj, ajo shprehu zhgënjim për mënyrën se si artisti kishte zgjedhur të komentonte.

“Qetësohu Gjergj… është thjesht një lajm i rremë. S’kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme se si një artist si ti mund të shprehet në këtë formë me kaq mllef. Për çfarë kam kontribuar unë prej vitit 2000 e deri sot, ka pak rëndësi për mua se sa vlerësohet. Kam plotësuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar dhe aktruar… Shëndet paç dhe uroj të të vijë pak turp nga vetja brenda ndërgjegjes tënde egoiste të errët, që një shpirti artistik nuk i rri.”

Përgjigjja e Lekës nuk vonoi. Ai ritheksoi se e vlerëson Çiljetën si individ, por jo për kontributin e saj në artin shqiptar.

“Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për çfarë ke dhënë për artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më bëhet zemra mal kur shoh që kohët e fundit jeta jote dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë e muzikë me vlera. Për sa i përket turpit që duhet të kem unë, e thënë nga ti më bën të qesh.”