Një aksion i gjerë i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Njësitit Antidrogë të Policisë së Kosovës ka rezultuar sot me zbulimin e një laboratori për prodhimin e narkotikëve dhe një sasie të konsiderueshme droge, në fshatin Jabllanicë e Vogël të komunës së Pejës.
Burime të IndeksOnline bënë të ditur se operacioni është zhvilluar në një shtëpi në fshatin Jabllanicë e Vogël.
Lajmin e konfirmoi për IndeksOnline zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili theksoi se aksioni është realizuar me pjesëmarrjen e të gjitha njësive relevante policore, bashkë me prokurorin e krimeve të rënda.
Sipas Nikçit, gjatë operacionit është zbuluar një sasi e konsiderueshme narkotikësh, si dhe një laborator i pajisur për prodhimin e substancave narkotike.
Në vendin e ngjarjes janë ende të pranishme njësitë e Antidrogës së Policisë së Pejës dhe njësitë e tjera përkatëse, të cilat po merren me dokumentimin dhe trajtimin e rastit. Prokuroria bëri të ditur se priten edhe arrestime në lidhje me këtë rast. Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë.
