**Lindshmëria në Rënie dhe Emigrimi Zbrazin Shkollat e Kosovës: Ekspertët Kërkojnë Reforma në Arsim**
Njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se ulja e numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë është një pasojë e drejtpërdrejtë e trendit demografik. Ata bëjnë thirrje për përshtatjen e politikave arsimore dhe fokusim në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, raporton Ekonomia Online.
Dukagjin Pupovci, ish-zëvendësministër i Arsimit, thekson se ulja e numrit të nxënësve vjen si pasojë e rënies së lindshmërisë dhe largimit të qytetarëve nga vendi.
“Ky është një trend demografik i pandalshëm. Nëse krahasojmë të dhënat e regjistrimeve të viteve 2011 dhe 2024, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë me rreth 28.5%. Kjo është kryesisht pasojë e uljes së lindshmërisë dhe, në një masë më të vogël, e emigrimit,” tha Pupovci.
Ai shtoi se i njëjti fenomen vërehet edhe në studimet universitare, ku përveç faktorëve demografikë, ka rënë edhe interesimi për studime, sidomos te djemtë. “Vetëm rreth 65 për qind e djemve që përfundojnë maturën, vazhdojnë studimet universitare,” sqaroi ai.
Pupovci theksoi se kjo situatë duhet shfrytëzuar për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe për racionalizimin e rrjetit të shkollave, si dhe të programeve universitare.
“Masat që duhen ndërmarrë janë shfrytëzimi i kësaj situate për të përmirësuar cilësinë, pasi ka nevojë të madhe për këtë, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në atë të lartë. Një tjetër masë është racionalizimi i rrjetit të shkollave. Kemi rreth 200-250 shkolla që janë shumë të vogla për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe kjo dëmton cilësinë e mësimit, pasi numri i nxënësve në klasë është nën të gjitha standardet. Këto shkolla duhet të integrohen me shkollat e afërta, ndërsa transporti i nxënësve duhet të mbulohet nga shteti, për të siguruar një arsimim sa më cilësor,” u shpreh ai.
Sa i përket arsimit të lartë, Pupovci sugjeroi racionalizimin e programeve, veçanërisht në sektorin publik. “Për momentin kemi pesë fakultete juridike dhe pesë ekonomike vetëm në sektorin publik. Nuk besoj se ka nevojë për një numër të tillë programesh, kur dihet se numri i studentëve është në rënie të vazhdueshme,” shtoi ai.
Pupovci paralajmëroi se ulja e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë do të kenë ndikim edhe në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Këtë fenomen vendet e tjera e kanë përjetuar më herët. Ne po e përjetojmë tani. Ende kemi një shtim pozitiv të popullsisë, por ajo që po vërehet është mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë. Kjo shkakton probleme, pasi një numër më i madh pensionistësh varet nga një numër më i vogël i punëtorëve, duke krijuar anomali sociale. Në perspektivë, me një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik, mund të lindë nevoja për hapjen e kufijve për imigracion, një situatë që shumë vende evropiane e kanë provuar. Edhe ne jemi në fillimet e këtij procesi, por jo në masën që ndodh në vendet evropiane,” tha ai.
Në lidhje me masat mbështetëse për lehonat, Pupovci shprehu skepticizëm për ndikimin e tyre në rritjen e lindshmërisë.
“Vërehen disa masa mbështetëse për gratë lehona, por nuk mendoj se për shkak të kësaj mbështetjeje do të shtohet lindshmëria. Kjo lidhet me emancipimin e gruas dhe gjendjen ekonomike në Kosovë, të cilat ndikojnë në kufizimin e lindjeve. Në vende të pasura dhe të emancipuara si SHBA-ja mund të ketë familje me tre apo katër fëmijë, por te ne, duke lidhur këta dy elemente, nuk pres ndonjë rritje të ndjeshme të lindshmërisë. Ajo që duhet bërë, siç thashë, është shfrytëzimi i rastit për të përmirësuar cilësinë. Për vite me radhë jemi ankuar për numrin e madh të nxënësve në klasë, ndërsa tani ky numër po bie në standardet evropiane. Kjo duhet shfrytëzuar për të përmirësuar cilësinë,” tha Pupovci.
Ndërsa Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit “EdGuard”, theksoi se institucionet nuk kanë reaguar në kohë për t’iu përshtatur këtij trendi demografik.
“Rënia e numrit të nxënësve është padyshim me karakter demografik, e projektuar që prej kohësh nga Agjencia e Statistikave. Pra, rënia e numrit të nxënësve nuk është e papritur, por mbetet i habitshëm mosreagimi institucional për përshtatjen e politikave dhe investimeve kapitale përballë këtij trendi. Kjo ulje është në korrelacion të drejtpërdrejtë me rënien e kapitalit njerëzor si fuqi punëtore, që është vendimtar për zhvillimin ekonomik,” tha Qehaja.
Ai shtoi se ndikimi në sistemin arsimor lidhet drejtpërdrejt me numrin e mësimdhënësve, hapësirat shkollore dhe numrin e universiteteve. “Kjo ka një implikim domethënës në të gjithë vendin, por mund të marrë një trajtë shumë më të mirë nëse reagimi institucional do të ishte më i mirë. Duhet të shfrytëzohet me efikasitet maksimal në profilet e duhura që i nevojiten tregut, si dhe në orientimin e duhur të këtij numri të paktë studentësh për të gjeneruar ekonomi dhe për ta kthyer atë në përfitim socio-ekonomik për vendin,” deklaroi ai.
Qehaja theksoi nevojën për politika që nxisin lindshmërinë dhe përshtatin investimet arsimore me trendin e rënies së numrit të nxënësve.
“E para, na nevojiten politika makro që nxisin lindshmërinë dhe rrisin trendin demografik të numrit të nxënësve. Kjo është thelbësore. Por përtej kësaj, në nivel të politikave arsimore, detyrimisht na duhet të përshtatim investimet kapitale dhe ato në burime njerëzore përballë trendit në ulje të numrit të nxënësve. Nuk ka sens që komunat të shpallin konkurse për mësimdhënës kur numri i nxënësve është në mospërputhje me numrin e mësuesve. Po ashtu, nuk ka sens të ndërtohen shkolla të reja kur numri i nxënësve është në rënie. Kjo është domosdoshmëria që politikat arsimore të përshtaten me trendet demografike, pasi ky numër i sotëm i nxënësve në rënie është projektuar dekada më herët nga Agjencia e Statistikave, prandaj askush nuk mund të thotë se është i papritur,” theksoi Qehaja.
Sipas tij, ulja e numrit të nxënësve do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Ndikimi i drejtpërdrejtë i kësaj është pa dyshim në zhvillimin ekonomik të vendit. Një numër i tillë në ulje i fuqisë punëtore, si dhe rritja e moshës mesatare të saj, ka ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Prandaj, domosdoshmëria dhe rëndësia e ndërhyrjeve për të adresuar këtë çekuilibër demografik në vendin tonë është evidente,” përfundoi Qehaja.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Ministria e Arsimit, në vitin shkollor 2025/2026 është shënuar rënie e numrit të nxënësve në arsimin fillor, të mesëm dhe atë të lartë, ndërsa është regjistruar një rritje e lehtë e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe në arsimin parashkollor.
