Në tryezën e organizuar nga Medica Gjakova me temën “Nga praktika në sistem: Zbatimi i qasjes së ndjeshme ndaj stresit dhe traumës (STA-HS) në institucionet shëndetësore të Kosovës”, e mbajtur pas lansimit të Procedurave Standarde Operative (PSO) dhe Manualit për këtë qasje, profesionistë të shëndetësisë ndanë përvojat dhe rekomandimet e tyre për zbatimin e kësaj metode në praktikë, raporton Ekonomia Online.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e trajnimit ndërdisiplinar dhe zgjerimit të kësaj qasjeje në sektorë të ndryshëm të shoqërisë.

Dr. Zef Komani, shef i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës, përmendi trajnimet që duhet të bëhen edhe në sistemin e drejtësisë.

“Medica Gjakova nuk do ta kishte këtë sukses që e ka sot pa ndihmën e të gjithë këtij personeli, si dhe shumë të tjerëve që nuk janë këtu. Mirëpo ekziston edhe një porosi apo një rekomandim për Mediken dhe për Lindën, që ky projekt të zgjerohet më tutje. Për arsye se, përpos trajtimit të dhunës në baza gjinore nga lufta, kemi edhe raste të reja tani.

Përpos përkujdesjes dhe trajnimit të personelit shëndetësor, një fakt shumë i rëndësishëm është që të trajnohen edhe disa segmente të tjera të shoqërisë. Besoj se punëtorët e qendrave për punë sociale duhet të trajnohen në këtë aspekt. Po ashtu edhe stafi i Policisë së Kosovës duhet të trajnohet, për arsye se në shumë raste ata janë kontakti i parë. Para Medikes, para personelit shëndetësor nga kujdesi primar, si dhe para profesionistëve të shëndetit mendor, kontakti i parë është policia.

Kur e dimë që policia jonë bëhet polic me një trajnim tremujor, faktikisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për këtë problematikë, e cila është shumë e ndjeshme. Pastaj duhet të kemi kujdes që të trajnohen, ose së paku të sensibilizohen për këtë çështje, edhe prokurorët dhe gjykatësit”, tha Komani.

Duke ndarë përvojën e saj nga trajnimet e zhvilluara, specialistja e mjekësisë, Dr. Minire Guhelli, theksoi rëndësinë e tyre për profesionistët shëndetësorë.

“Unë fillimisht jam trajnuar nga Medica Gjakova. Kemi pasur trajnime të vazhdueshme treditore, të cilat kanë qenë të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme. Për mua ka qenë një risi, sepse trajnime të tilla më parë nuk kam pasur rast t’i ndjek.

Më ka bërë shumë përshtypje mënyra se si janë organizuar; kanë qenë shumë seriozë në orare dhe në vendndodhjen ku janë mbajtur këto trajnime. Trajnerët kanë qenë nga fusha të ndryshme, pra ka pasur profesionistë shëndetësorë, gjinekologë, psikologë dhe psikiatër. Ka qenë një trajnim multidisiplinar dhe multidimensional që neve, si mjekë pa përvojë në këtë drejtim, na ka plotësuar si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.

Kështu që unë uroj që të gjithë profesionistët shëndetësorë që nuk i kanë ndjekur këto trajnime, të kenë mundësinë t’i ndjekin, sepse gjatë punës sonë të përditshme hasim gjithmonë në këtë kategori. Një qasje e duhur dhe e drejtë i ndihmon si viktimave, ashtu edhe profesionistëve shëndetësorë që të jenë më të kompletuar. Besoj se Kosova ka fituar shumë në këtë drejtim me këtë iniciativë, dhe Medica Gjakova po i ofron vendit një ndihmë shumë të madhe”, tha ajo.

Shefja e Departamentit të Mjekësisë Familjare në QKMF Mitrovicë, Sanie Nimoni, vuri në pah ndikimin e trajnimeve në qasjen ndaj pacientëve.

“Unë do të ndalem te përfitimet që kemi pasur si trajnerë, por edhe stafi shëndetësor që është trajnuar. Nuk është se nuk kemi ditur për traumën, apo që nuk jemi marrë me raste, mirëpo ky trajnim na ka plotësuar dhe na ka vetëdijësuar më shumë që të mos ndalemi vetëm te simptomat e pacientit apo analizat laboratorike, por të marrim parasysh edhe anën emocionale të pacientit.

Kjo na ndihmon të krijojmë një ambient ku pacienti ndihet më i sigurt dhe më i afërt me punëtorin shëndetësor. Unë ndikimin e këtij trajnimi do ta ndaja në dy aspekte: profesional dhe menaxherial.

Në aspektin profesional, apo personal, së pari është rritur vetëdija ime për ndikimin e stresit dhe traumës tek pacienti në tërësi. Kam vërejtur ndryshim në qasjen time, e cila tash është më empatike dhe më bashkëpunuese ndaj pacientit, si dhe kam fituar më shumë siguri në trajtimin e tyre.

Në aspektin menaxherial, përveç trajnimeve të vazhdueshme me stafin, kam filluar ta promovoj më shumë qasjen sensitive ndaj këtyre pacientëve”, tha ajo.