Eksperti i sigurisë: Mbi 50 mijë rusë kanë marrë shtetësi serbe, rrezik për sigurinë rajonale
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka paralajmëruar për rritjen e numrit të shtetasve rusë që po marrin shtetësinë serbe, duke theksuar se kjo mund të shfrytëzohet nga Rusia për ndikim politik dhe destabilizim në Ballkanin Perëndimor.
Shala tha se ky trend ka nisur të vërehet që nga viti 2023 dhe sipas vlerësimeve flitet për mbi 50 mijë shtetas rusë që mund të kenë përfituar shtetësi serbe.
Eksperti shpjegoi se Rusia, sipas doktrinës së saj, në vendet ku nuk mund të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë ose ka frikë se strukturat politike mund të ndryshojnë në interesat e saj, krijon rrethana duke rritur numrin e shtetasve rusë me shtetësi të dyfishtë. Kjo i mundëson asaj të investojë sistematikisht për të mbajtur kontrollin mbi atë shtet dhe për të pasur agjentë që mund të lëvizin lirshëm në territorin evropian, duke qenë se Serbia gëzon regjimin e udhëtimit pa viza me zonën Schengen. Ai shtoi se këto veprime mund të materializohen në përpjekje konkrete për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Shala deklaroi se shtetasit rusë me shtetësi serbe mund të lëvizin lirshëm edhe në Kosovë, duke e vështirësuar identifikimin e tyre nga mekanizmat e sigurisë. Si shtetas serbë, ata nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta në pikat kufitare, ndërkohë që mund të jenë pjesë e strukturave të mundshme inteligjente ruse, të aftë për të kryer operacione ndikimi apo subversive.
Sipas Shalës, vendet e rajonit duhet ta ngrenë këtë çështje në institucionet evropiane dhe të kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave për Serbinë. Kjo, sipas tij, do të minimizonte mundësinë e shpërndarjes së këtyre qytetarëve rusë, numri i të cilëve vlerësohet të jetë rreth 50 mijë. Ai theksoi rrezikun që mund të paraqesin këta qytetarë me shtetësi të dyfishtë, si pjesë e strukturave udhëheqëse të inteligjencës ushtarake dhe civile të Rusisë.
Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit të progresit për Serbinë, lidhur me Kapitujt 23 dhe 24 që adresojnë sundimin e ligjit, ka vlerësuar se rritja e numrit të shtetasve rusë që marrin shtetësi serbe dhe përfitojnë hyrje pa viza në Bashkimin Evropian, përbën një sfidë të mundshme sigurie për bllokun evropian.
