Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka anuluar procesin e avancimit të katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke cituar arsye si tejkalimi i afateve dhe mungesa e ekspertizës së nevojshme. Vendimi u mor në mbledhjen e 291-të të Këshillit, me katër vota pro anulimit.

Kryesuesi Arian Gashi dhe anëtari Dardan Vuniqi theksuan se procesi kishte tejkaluar afatet ligjore për vendimmarrje, veçanërisht lidhur me shqyrtimin e kundërshtimeve të kandidatëve. Vuniqi shtoi se nuk mund të votonte për një proces ku nuk ishin respektuar afatet e përcaktuara.

Anëtari Visar Krasniqi shprehu shqetësimin se procesi, i nisur në shtator, ende nuk ishte përmbyllur. Ai gjithashtu kritikoi shpalljen e konkursit që në fillim, duke argumentuar se një analizë kishte identifikuar një tepricë prej 12 prokurorësh në PSRK. Për më tepër, Krasniqi përmendi shkelje edhe gjatë fazës së intervistimit.

Nga ana tjetër, Elza Bajrami-Kastrati, anëtare e Këshillit, theksoi se kandidatët e propozuar për avancim në Prokurorinë Speciale nuk posedonin ekspertizën e nevojshme për menaxhimin efikas të lëndëve specifike të kësaj prokurorie.

Në kundërshtim me anulimin, anëtari Milot Krasniqi, duke qenë vetë pjesë e PSRK-së, argumentoi se e njihte ngarkesën e lëndëve dhe se afatet për shqyrtimin e kundërshtimeve ishin të përcaktuara qartë me rregullore. Ai kritikoi Këshillin për zbatimin e standardeve të dyfishta, duke sjellë si shembull zgjatjen e transferimit të prokurorit Dardan Qela. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme për situatën.

Pas diskutimeve, Këshilli mori vendimin për anulimin e procesit me katër vota pro (Arian Gashi, Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Visar Krasniqi) dhe dy vota kundër (Agron Qalaj dhe Milot Krasniqi).

Po në të njëjtën mbledhje, KPK vazhdoi mandatin e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Nazan Shero dhe Aleksandër Lumezi, si dhe emëroi Besnik Jakupin e Lulzim Sylejmanin si anëtarë rezervë.