Kombëtarja e Tunizisë ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me trajnerin francez Sabri Lamouchi, pas paraqitjes zhgënjyese në ndeshjen hapëse të turneut.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur Romain Molina, i cili raporton se federata tuniziane ka marrë vendimin për shkarkimin e teknikut francez vetëm pak ditë pas fillimit të Botërorit.

Sipas Molina-s, vendimi vjen si pasojë e humbjes së rëndë që Tunizia pësoi ndaj Suedisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.

Përfaqësuesja afrikane u mposht me rezultatin e thellë 5:1, duke lënë një përshtypje negative dhe duke shtuar presionin mbi stafin teknik.

Rezultati i rëndë ndaj suedezëve duket se ka qenë vendimtar për drejtuesit e futbollit tunizian, të cilët kanë vendosur të reagojnë menjëherë duke bërë ndryshime në pankinë.

Federata e Futbollit e Tunizisë ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me pasardhësin e Lamouchit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë detaje rreth së ardhmes së kombëtares.