Granit Xhaka dhe Breel Embolo do të jenë sërish në dispozicion të Zvicrës muajin e ardhshëm, pasi Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) përfundoi hetimin lidhur me certifikatat e falsifikuara të vaksinimit kundër COVID-19, të cilat i kishin siguruar dy futbollistët.
SFV-ja njoftoi vendimin të martën, pasi kapiteni i Sunderlandit, Xhaka, kishte pranuar se kishte siguruar një certifikatë të rreme për të pasur mundësi të udhëtonte dhe të luante në vitin 2022.
Në kuadër të marrëveshjes mes futbollistit dhe SFV-së, ai nuk ishte paraqitur në ndeshjet e Zvicrës në Ligën e Kombeve gjatë muajit tetor, kundër Skocisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Edhe Embolo, sulmues që luan për skuadrën e Atlanta Unitedit në MLS, ishte përjashtuar nga grumbullimi i Zvicrës në fund të shtatorit për të njëjtën arsye.
Të dy futbollistët u dënuan me nga 150 mijë franga zvicerane, por dënimi me gjobë është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh.
“SFV-ja i ka shqyrtuar të dy rastet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ka ardhur në përfundimin se rikthimi i futbollistëve, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duke marrë parasysh pasojat sportive, përkatësisht mungesën në katër ndeshje ndërkombëtare gjatë shtatorit dhe tetorit, është i arsyeshëm”, thuhet në komunikatën e federatës.
“Jemi të bindur se rikthimi i tyre në Kombëtare në nëntor është vendim i përgjegjshëm dhe i drejtë”, deklaroi drejtori i përfaqësueses, Pierluigi Tami.
Xhaka kishte kërkuar falje muajin e kaluar dhe kishte marrë përgjegjësinë për veprimet e tij, duke e cilësuar rastin si “një gabim”.
Në deklaratën e tij, Xhaka tha se kishte ndier “mosbesim të thellë ndaj vaksinës” dhe se kishte “siguruar një certifikatë vaksinimi në vend që t’i adresonte pyetjet e pazgjidhura përmes kanaleve të duhura”.
“Tani e kuptoj qartë se ky ishte veprimi i gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq. E pranoj përgjegjësinë për këtë vendim, po përballem me procesin e sqarimit të fakteve dhe po bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përkatëse”, kishte deklaruar Xhaka.
Në komunikatën e publikuar të martën, SFV-ja konfirmoi gjithashtu se Xhakës nuk do t’i hiqet shiriti i kapitenit. Federata theksoi se vendimi për këtë çështje i takon ekipit dhe trajnerit Murat Yakin.
Zvicra kryeson Grupin E me 12 pikë, pasi i ka fituar të katërta ndeshjet e zhvilluara më herët gjatë këtij muaji.
Në nëntor, zviceranët do t’i zhvillojnë dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, kundër Sllovenisë dhe Skocisë./GazetaExpress/
