Peja feston Kurban Bajramin: Lutje dhe mesazhe për mirësi e unitet

Dita e parë e Kurban Bajramit në Pejë u shënua me një atmosferë të veçantë. Një numër i madh besimtarësh myslimanë u drejtuan në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli” për të falur namazin e Kurban Bajramit, pas namazit të sabahut.

Për të theksuar rëndësinë e festës, xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” kishte përgatitur një program të veçantë. Për ata që nuk mundën të ishin fizikisht të pranishëm, manifestimi u transmetua drejtpërdrejt nga Klan Kosova. Pas namazit të sabahut, ilahisti Nusret Kurtishi së bashku me grupin e tij prekën zemrat e besimtarëve me interpretimin e ilahive në gjuhën shqipe, duke krijuar një atmosferë frymëzuese.

Programi festiv nuk u mbyll këtu. Hoxhë Shefqet Krasniqi mbajti një ligjëratë për Kurban Bajramin, duke u përcjellë qytetarëve mesazhin hyjnor për mbushjen e zemrave me mirësi, paqe dhe lumturi. Para dhjetëra besimtarëve të pranishëm, hoxhë Krasniqi theksoi rëndësinë e njeriut si krijesë e veçantë e Zotit. “Për të qenë misioni i njeriut i duhur, për ta kryer rolin e vet në këtë dynja ky insan, të cilin Allahu aq shumë e ngriti dhe e lartësoj, e veçoi nga të gjitha krijesat, i dërgoi Pejgamber. Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet e të madhërohet pos Allahut të Madhërishëm,” citoi hoxha.

Pas ligjëratës, xhemati u përgatit për të falur namazin e Kurban Bajramit, të udhëhequr nga imamët. Me këtë rast, Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga, mbajti hutben, ku trajtoi temën e mirësisë së brendshme të njeriut. Ai gjithashtu preku procesin zgjedhor, duke theksuar se Kosova nuk është pronë e partive politike. “Kosova, atdheu, nuk është e partive politike. Këtë duhet ta kuptojnë të gjitha partitë politike, të gjithë ata që janë në garë; duhet ta kuptojnë që janë shërbëtorë të shoqërisë, të popullit, të vendit. Prandaj, ju lus që edhe ju sot, edhe nesër gjatë vizitave, të përhapet ky mesazh dhe kjo kërkesë, që larg gjuhës së urrejtjes, të jemi të matur dhe dinjitozë,” theksoi hoxhë Goga.

Me përfundimin e hutbes, u fal namazi i Kurban Bajramit, ndërsa besimtarët përshëndetën dhe uruan njëri-tjetrin, duke krijuar një atmosferë të vërtetë festive në xhami.