**Flick, Arbeloa dhe Simeone kundërshtojnë thirrjet islamofobe pas ndeshjes Spanjë – Egjipt**

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, deklaroi se është “koha për ndryshim”, pasi thirrjet islamofobe njollosën barazimin pa gola (0-0) të Spanjës me Egjiptin në një ndeshje miqësore të zhvilluar të martën. Incidentet prekën në veçanti futbollistin Lamine Yamal, i cili ishte njëri prej objektivave të tyre.

Thirrja “Kush nuk kërcen është mysliman” u dëgjua vazhdimisht në stadiumin “RCDE”, ndërsa policia ka nisur një hetim për rastin. Një ditë më vonë, Yamal reagoi publikisht, duke i dënuar këto veprime si “të papranueshme”.

Álvaro Arbeloa, trajner i Real Madridit, u pyet gjithashtu për situatën, duke theksuar se “Spanja nuk është një vend racist”, por shtoi se duhet bërë më shumë për të eliminuar një fenomen të tillë.

Flick vlerësoi reagimin e Yamalit. “Mendoj se Lamine bëri një deklaratë të shkëlqyer. Futbolli simbolizon përfshirjen. Është zhgënjyese që një numër i vogël idiotësh nuk e kuptojnë këtë. Është koha të reflektojmë dhe të kuptojmë se çfarë duam në jetë dhe në futboll. Ne nuk duam racizëm. Bëhet fjalë për bashkimin dhe të gjithë duam të respektohemi, pavarësisht racës dhe fesë. Është koha për ndryshim,” tha Flick.

Edhe trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, u shpreh për çështjen, duke e cilësuar si një problem shoqëror më të gjerë. “Është një problem shoqëror, jo vetëm në Spanjë, por edhe në Argjentinë e Brazil, në mbarë botën. Ka të bëjë me humbjen e respektit. Respekti që dikur kishim për prindin, mësuesin, trajnerin, policinë… është diçka që është humbur. Duhet të punojmë që, me besim dhe përkushtim, gjërat të përmirësohen,” theksoi Simeone.

Spanja rrezikon të përballet me gjobë ose mbyllje të pjesshme të stadiumit nëse shpallet fajtore për këto thirrje. Ndërkohë, në Federatën Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF) ekziston shqetësimi se FIFA mund ta marrë këtë çështje në konsideratë edhe për vendimmarrjet lidhur me Kupën e Botës 2030.