Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka premtuar transparencë të plotë në hetimin e akteve të dhunës dhe trazirave që përfshinë vendin gjatë fundjavës, ndërsa ka paralajmëruar masa të rrepta sigurie, përfshirë shtetrrethime të kufizuara.
Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit qeveritar, kryeministri francez theksoi vendosmërinë e shtetit për të rivendosur rendin dhe ligjin.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur”, deklaroi prerazi Lecornu, duke akuzuar grupet e ekstremit të majtë dhe elementët e dyshuar kriminalë si përgjegjësit kryesorë për përshkallëzimin e tensioneve.
Kryeministri u ndal me theks të veçantë te situata në Marsejë, ku, sipas tij dhe raportimeve të Sky News, ka vatra tensioni të lidhura drejtpërdrejt me grupet radikale të së majtës. Për shkak të rrezikut, autoritetet lokale në Marsejë kanë vendosur menjëherë ndalimin e çdo tubimi publik nga ora 12:00 e mesditës deri në orën 20:00.
Lecornu garantoi se personat e arrestuar do të marrin dënimet e merituara, duke theksuar se reagimi do të jetë i pakompromis nëpërmjet drejtësisë penale. Paralelisht, ka nisur një hetim i gjerë për të identifikuar dhe sjellë para përgjegjësisë të gjithë individët e tjerë të përfshirë në trazira.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, qeveria u ka kërkuar prefekturave të vendosin shtetrrethime të pjesshme në zona specifike, detajet e të cilave pritet të bëhen publike gjatë ditës.
Lecornu sqaroi se masa e shtetrrethimit nuk do të bllokojë të gjithë Parisin, por do të zbatohet me saktësi në pikat kyçe. “Disa zona do t’i nënshtrohen shtetrrethimit, veçanërisht ato që lidhen me nyjet e transportit publik, si dhe vendet simbolike dhe me rëndësi të veçantë strategjike”, përfundoi kryeministri francez.
