Francë: Zbulim tronditës, gjenden 5 foshnja të vdekura në kuti kartoni
Një ngjarje tronditëse ka goditur Francën, pasi policia zbuloi trupat e pesë foshnjave të vdekura, të fshehura në kuti kartoni brenda një apartamenti në qytetin Orange, në juglindje të vendit. Ky zbulim shokues vjen vetëm një ditë pasi gruaja 32-vjeçare, banuese e apartamentit, kishte lindur një foshnjë të shëndetshme.
Sipas Prokurorisë së Carpentrasit, ishte partneri i gruas ai që njoftoi autoritetet. I shqetësuar pasi kishte mësuar me vonesë për shtatzëninë e saj, ai kontrolloi apartamentin dhe zbuloi mbetje që dyshohet se ishin njerëzore. Menjëherë pas kësaj, ai kontaktoi spitalin e Orange, i cili më pas njoftoi policinë.
Gjatë kontrollit të banesës, hetuesit zbuluan katër skelete foshnjash dhe trupin e një tjetër foshnje në gjendje dekompozimi. Mjeku ligjor dyshon se të gjitha mbetjet u përkasin pesë të porsalindurve. Autopsia dhe analizat laboratorike do të jenë thelbësore për të përcaktuar identitetin, kohën dhe shkakun e vdekjes.
Nëna, gjithashtu 32 vjeçe, ndodhet ende në spital pas lindjes dhe nuk është marrë në pyetje nga hetuesit deri më tani.
Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, 8 dhe 9 vjeç, dhe jetonte prej rreth dy vitesh në apartamentin ku u bë zbulimi tragjik. Fqinjët i përshkruan si një familje të qetë dhe deklaruan se nuk kishin vënë re asgjë të pazakontë.
