**Institucionet e Kosovës shpenzojnë rreth 40 milionë euro për karburant dhe telefoni mobile në tre vjet**
Institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kanë shpenzuar rreth 40 milionë euro për derivate të naftës dhe telefoni mobile gjatë tre viteve të fundit. Këto shifra janë bërë publike bazuar në raportet zyrtare të shpenzimeve të Ministrisë së Financave, siç raporton portali FrontOnline.
Këto shpenzime, të cilat arrijnë shifra dhjetëra milionëshe, janë regjistruar gjatë mandatit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Kurti, kur ishte në opozitë, kritikonte ashpër qeveritë paraprake për shpenzime të larta, duke i cilësuar ato si luks dhe shpenzime për karburant për xhipa. Megjithatë, pas ardhjes së tij në krye të ekzekutivit të Kosovës në vitin 2021, shpenzimet e tilla jo vetëm që nuk kanë shënuar rënie, por, përkundrazi, janë rritur në krahasim me qeveritë paraprake.
Sipas të dhënave të publikuara, shpenzimet detaje paraqiten si më poshtë:
**Shpenzimet për derivate të automjeteve, gjeneratorëve dhe makinerive:**
* Viti 2025: 10.5 milionë euro
* Viti 2024: 10.7 milionë euro
* Viti 2023: 10.5 milionë euro
**Shpenzimet për telefoni mobile:**
* Viti 2025: 2.4 milionë euro
* Viti 2024: 2.4 milionë euro
* Viti 2023: 2.3 milionë euro
Në reagim ndaj këtyre shpenzimeve, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka cilësuar ato si të tepruara dhe të pajustifikuara, sidomos në raport me premtimet e Qeverisë aktuale. Rukiqi theksoi veçanërisht shpenzimet për automjete dhe shpenzime të tjera operative, duke argumentuar se ato kanë kaluar çdo kufi të arsyeshëm.
“Këto shpenzime duket se e kanë kaluar çdo nivel të pranueshëm, këto janë shpenzime për vetura që konsumojnë shumë, por për një qeveri që ka premtuar ndryshe, kjo e tejkalon çdo nivel të pranueshëm,” ka theksuar Rukiqi.
