**Aksident i Rëndë në Gjermani, Gara Ilegale me Makina Shkakton Përplasje në Autostradën A8**

Një garë ilegale makinash në Gjermani ka përfunduar me një aksident të rëndë të dielën pasdite, duke shkaktuar plagosjen e dy personave dhe bllokimin e autostradës A8. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, kur një 23-vjeçar, i cili dyshohet se humbi kontrollin e një Mercedes-AMG të modifikuar, u përplas me dy automjete të tjera.

Policia gjermane dyshon se shkak i aksidentit ishte pikërisht një garë ilegale makinash. Në kuadër të hetimit, janë identifikuar edhe dy drejtues të tjerë automjetesh, njëri me Lamborghini dhe tjetri me Porsche, të cilët dyshohet se ishin pjesëmarrës në garë.

Sipas policisë, drejtuesi 22-vjeçar i Lamborghinit, i cili ndiqte Mercedesin, pësoi dëmtim të një gome pasi kaloi mbi mbetjet e aksidentit. Ai vazhdoi udhëtimin deri në një pikë karburanti, ku dyshohet se është filmuar duke u përpjekur të riparonte përkohësisht automjetin, para se të largohej. Policia arriti ta identifikonte më vonë. Edhe drejtuesi 20-vjeçar i Porsche-s është identifikuar nga autoritetet gjermane.

Policia, në koordinim me Prokurorinë e Saarbrückenit, ka sekuestruar të tre automjetet e përfshira në rast. Aksidenti la pas një zonë të madhe me mbetje në autostradë, ndërsa gjurmët e gomave dhe pjesët e automjeteve ishin shpërndarë në një gjatësi prej më shumë se 100 metrash.

Dy drejtuesit e automjeteve të goditura, të moshës 62 dhe 63 vjeç, pësuan lëndime të lehta. Autostrada A8 qëndroi e mbyllur në të dyja drejtimet deri pak pas mesnatës. Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve ose personave të tjerë që mund të jenë dëmtuar nga gara e dyshuar ilegale, të paraqiten për të dhënë informacionin e tyre.