**Kurti: Mbetjet mortore në Zubin Potok dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës**
Gërmimet e fundit në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kanë nxjerrë në dritë mbetje mortore, dhe institucionet e Kosovës dyshojnë paraprakisht se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill të vitit 1999. Këtë e bëri të ditur Kryeministri Albin Kurti, duke theksuar rëndësinë e gjetjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Kurti shpjegoi se ky ka qenë dyshimi i menjëhershëm sapo u mor vesh për zbulimin, por theksoi se konfirmimi përfundimtar duhet të vijë nga organet kompetente pas analizave përkatëse. “Duket se kemi të bëjmë me një varrezë masive në fshatin Kalludër, një komunë në veri të Ibrit, e cila më parë ishte një zonë e paprekur nga gërmimet,” tha Kurti, duke nënvizuar se çdo gjetje është një hap drejt zbardhjes së fatit të pagjeturve.
Ai bëri të ditur se në terren janë angazhuar menjëherë ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Kryeministri Kurti shtoi se ky zbulim shërben si një kujtesë e dhimbshme se lufta nuk ka përfunduar për shumë familje, të cilat ende presin të gjejnë të dashurit e tyre. “Për qindra familje, pritja vazhdon. Për to, çdo gërmim është shpresë, çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë,” theksoi ai.
Duke folur për sfidat, Kurti kritikoi Serbinë për mospërmbushjen e Deklaratës së Brukselit për personat e zhdukur me dhunë, e miratuar më 2 maj 2023, si dhe për refuzimin e vazhdueshëm për të hapur arkivat e ushtrisë. “Kjo është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë Luftës së Fundit,” u shpreh Kurti.
Në fund, ai përsëriti thirrjen ndaj komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi Serbinë. Kjo kërkon, mes tjerash, ndryshimin e vendimit për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve deri në vitin 2044, si dhe hapjen e arkivave të Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave. Kjo do të siguronte informacione thelbësore për zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur me dhunë.
