Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvall, ka bërë të ditur se gjatë vizitës zyrtare në Bruksel ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ku në fokus kanë qenë reformat në drejtësi dhe avancimi i sundimit të ligjit në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe masave që synojnë forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.

“Nga reforma në drejtësi drejt shtetit funksional të së drejtës. Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, zhvillova një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, z. Gert Jan Koopman”, tha ajo.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa procese kyçe që lidhen me drejtësinë në Kosovë.

“Me z. Koopman biseduam për vazhdimësinë e reformave në drejtësi, përfshirë funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut, si dhe paketën prej pesë projektligjesh që janë në konsultim publik. Këto masa synojnë forcimin e integritetit institucional dhe transformimin afatgjatë të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Sipas saj, këto reforma kanë për qëllim rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe përmirësimin e funksionimit të tyre.

“Në këtë kuadër, theksova se reformat në drejtësi kanë për qëllim rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore, si pjesë e një sistemi më funksional dhe më të besueshëm”, thotë Gërvalla.

Gërvalla ka nënvizuar edhe rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces, duke e cilësuar mbështetjen e tij si të domosdoshme për avancimin e sundimit të ligjit.

“Gjithashtu, nënvizova rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga Bashkimi Evropian në avancimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, ku progresi në drejtësi mbetet element kyç.”