Një granatë e dyshuar është zbuluar sot rreth orës 11:15 në një bodrum banese në rrugën “Milan Shuflai” në Mitrovicën e Veriut.

Lajmin e ka konfirmuar Erduan Baliu, shef i planifikimit operacional për rajonin Mitrovicë-Veri në kuadër të Policisë së Kosovës.

Baliu deklaroi se “dyshohet për një mjet të dyshimtë (granatë)”.

Ndërkohë, portali ‘Mitropol’ ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.

Sipas informacioneve të këtij mediumi, Njësia Speciale e Policisë e gjeti granatën e dorës në bodrumin e një banese, përballë dyqanit ‘Krashit’ në veri të Mitrovicës. Menjëherë pas zbulimit, ekipet e specializuara të çminimit ndërhynë dhe e larguan granatën në mënyrë të kontrolluar, duke siguruar zonën.