Gjermania: Asociacioni, temë e shpeshtë në bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, drafti duhet dërguar në Kushtetuese
Gjermania thekson se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh me Qeverinë e Kosovës në kontekstin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, duke kërkuar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese. Ky qëndrim u përforcua pas deklaratave të diplomatit estonez Aivo Orav.
Më herët, Aivo Orav, pak para përfundimit të detyrës si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, kishte theksuar nevojën për të shfrytëzuar diplomacinë për të avancuar themelimin e Asociacionit. Ai theksoi se, pavarësisht këmbënguljes së BE-së, Kosova nuk po e dërgon draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese dhe se vazhdimi i këtij qëndrimi pa veprime nuk i sjell dobi askujt.
Zëdhënësja e Ambasadës Gjermane, Catalina Heine, ka konfirmuar për Gazetën Express se për Gjermaninë, ecja përpara me themelimin e Asociacionit është një prioritet. Ajo e cilësoi këtë si një detyrim ndërkombëtar të Kosovës që nga viti 2013.
Heine shtoi se Asociacioni duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj është thelbësore që Gjykata Kushtetuese të përfshihet në vlerësimin e tij përpara zbatimit. “Për Gjermaninë, është prioritet të shohim progres në zhvillimin dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka qenë një detyrim ndërkombëtar që nga viti 2013. Shpresojmë të shohim diskutimet e nevojshme dhe më pas progres në krijimin e Asociacionit. Dhe sigurisht, çdo zbatim i Asociacionit duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, prandaj Gjykata Kushtetuese duhet të përfshihet për vlerësimin para zbatimit,” citohet të ketë thënë Heine.
Heine theksoi gjithashtu se Asociacioni është temë e shpeshtë diskutimi me Qeverinë e Kosovës sa herë flitet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, një proces që Berlini zyrtar e mbështet fuqishëm.
Në një intervistë tjetër, Orav, i cili do të marrë detyrën si Shef i Delegacionit të BE-së në Ankara, përsëriti se BE-ja e ka mbajtur gjatë qëndrimin se drafti i Asociacionit duhet dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por pa rezultat. “Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. […] Ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt,” tha Orav, duke shtuar se diplomacia duhet të gjejë mënyra për trajtimin e këtyre çështjeve.
