**Gjini në vizitë te Tërnava: Harmonia fetare, pasuri e madhe e Kosovës**

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar një vizitë në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Gjatë kësaj vizite, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi vlerën e harmonisë fetare në Kosovë dhe rolin e rëndësishëm të Bashkësisë Islame në promovimin e vlerave të drejtësisë dhe kujdesit ndaj qytetarëve.

“Kjo është një festë e madhe e besimtarëve myslimanë në Kosovë, por një festë që respektohet edhe nga besimtarë të tjerë,” deklaroi Gjini. Ai shtoi se “Kosova dhe populli shqiptar janë vërtet me fat për harmoninë fetare që kemi, si dhe për mesazhin e vazhdueshëm që Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) përcjell për një shtet të drejtë dhe kujdes ndaj qytetarëve të vet. Në emër të Aleancës, këto fjalë ia kam shprehur Myftiut Tërnava dhe gjithë Bashkësisë Islame të Kosovës.”