Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg ka rrëzuar si të papranueshme ankesën e Millorad Dodikut, ish-president i entitetit serb Republika Srpska, kundër një vendimi të gjykatës së Bosnjës që e dënoi dhe e shkarkoi nga detyra vitin e kaluar.
Gjykata e Strasburgut konfirmoi të martën për Radion Evropa e Lirë (REL) se vendimi ishte marrë nga një gjyqtar i vetëm në muajin maj.
Dodik kishte paraqitur ankesën në janar, duke pretenduar se të drejtat e tij ishin shkelur nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës. Kjo gjykatë, në verën e vitit të kaluar, e dënoi atë me një vit burgim dhe i ndaloi ushtrimin e detyrës për gjashtë vjet, për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë.
Në përgjigjen e saj për REL-in, GJEDNJ nuk dha detaje të thelluara mbi arsyet e refuzimit të ankesës së Dodikut. Megjithatë, ajo theksoi se arsyet shpjegohen në vetë vendimin, i cili u mor në përputhje me Rregullin 52A të gjykatës.
Rregulli 52A i mundëson një gjyqtari të vetëm të rrëzojë një ankesë si të papranueshme në fazën fillestare të procedurave, pa një shqyrtim të thelluar të meritave të çështjes. Vendime të tilla janë përfundimtare, jepen me një shpjegim të shkurtër dhe nuk mund të apelohen.
GJEDNJ sqaroi se vendimi, së bashku me arsyetimin e gjyqtarit, i ishte dorëzuar ankuesit ose përfaqësuesit të tij ligjor. Gjithashtu, shpjegoi për REL-in se arsye të ndryshme mund të çojnë në refuzimin e një ankese, në përputhje me udhëzimet e gjykatës për pranueshmërinë. Këto arsye përfshijnë, ndër të tjera, mosshterimin e mjeteve juridike të brendshme, paraqitjen jashtë afatit kohor të caktuar ose nëse Gjykata i konsideron kërkesat qartësisht të pabazuara. Për më tepër, Gjykata nuk shqyrton çështje që nuk bien brenda juridiksionit të Konventës ose kur ankuesi nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Ky vendim vjen pasi gjykata e Strasburgut i kishte refuzuar Dodikut edhe një kërkesë të mëparshme. Në prill, Dodik kishte kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave vendase në Bosnjë kundër tij. Kjo kërkesë ishte bërë sipas Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës, i cili zbatohet vetëm në raste të jashtëzakonshme ku ekziston një rrezik i menjëhershëm i dëmit të pariparueshëm ndaj të drejtave themelore.
Dodik u shkarkua nga posti i presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, në fund të vitit të kaluar, pas konfirmimit të dënimit të tij nga institucionet gjyqësore të brendshme.
