Policia arreston tre persona pas grabitjes së armatosur në Slivovë; sekuestrohet një AK-47

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar pas një grabitjeje të armatosur që ndodhi mesditën e së dielës në fshatin Slivovë të Ferizajt. Operacioni i shpejtë i policisë çoi edhe në sekuestrimin e një arme zjarri, tip AK-47, e cila dyshohet se u përdor gjatë aktit kriminal.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, kur një qytetar raportoi se ishte grabitur marketi i tij. Pronari i marketit deklaroi se një person i veshur me rroba të zeza dhe me fytyrë të mbuluar me shall, rreth 30 vjeç, kishte hyrë në lokal dhe, nën kërcënimin e një arme të gjatë, kishte marrë para nga arka. Pas aktit, i dyshuari ishte larguar në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.

Njësitet policore reaguan menjëherë, duke mbërritur në vendin e ngjarjes dhe duke nisur veprimet hetimore intensive. Brenda një kohe të shkurtër, rreth orës 12:30, u arrestua i dyshuari i parë, i identifikuar si B.T., 28 vjeç.

Ndërkohë, në orën 12:50, policia konfiskoi një armë automatike të tipit AK-47, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë grabitjes. Hetimet e mëtejshme çuan në arrestimin e dy personave të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë rast: R.H., 38 vjeç dhe V.S., 28 vjeç.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kryen ekzaminimet e nevojshme.

Për rastin u njoftua prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili autorizoi vazhdimin e hetimeve dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, të tre të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.