**Gucati: Për herë të parë, logoja e OVL-UÇK-së u pranua në Gjykatën Speciale**
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, bëri të ditur se peticioni me mbi 200 mijë nënshkrime, i dorëzuar më 6 maj në Gjykatën Speciale në Hagë, përfaqëson mbështetjen e qytetarëve për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen. Ai theksoi se kjo ishte hera e parë që në këtë gjykatë u pranua dokumentacion me logon e OVL-UÇK-së.
Gucati shpjegoi se peticioni, bashkë me dokumentacionin shoqërues në gjuhën shqipe dhe angleze, u dorëzua pasi delegacioni i OVL-UÇK-së u prit nga administrata e Gjykatës Speciale, madje para orarit zyrtar të takimit.
“Ne, si organizatë e veteranëve, së bashku me studentë nga Prizreni dhe vende të tjera, organizuam një peticion ku synonim rreth 300 mijë nënshkrime, por arritëm të mbledhim mbi 200 mijë. Këto nënshkrime i dorëzuam të mërkurën, më 6 maj, direkt në Gjykatën Speciale. Pritja ishte jashtëzakonisht korrekte, na befasuan për të mirë kësaj radhe, gjë që nuk kishte ndodhur më parë,” deklaroi Gucati për “EO”.
Ai shtoi se administrata e Gjykatës Speciale tregoi korrektësi të lartë gjatë pranimit të peticionit, duke theksuar se ai dhe Salih Bislimi nuk ishin kontrolluar nga sigurimi, ndryshe nga herët e tjera. “Ka qenë një korrektësi shumë e lartë. Sigurimi nuk na kontrolloi. Ata erdhën 30 minuta para orarit të caktuar, na morën dhe pasi na panë kamerat, erdhi sigurimi. Aty na pyetën, i treguam se kishim sjellë peticionet, dhe pasi lajmëruan administratën, na lejuan të hynim brenda. Dorëzuam të gjitha peticionet me një kontroll rutinore që ata e kanë obligative, por mua dhe Salihun nuk na kontrolluan. Na befasoi kjo herë e parë që nuk na kontrolluan,” tha Gucati, duke shtuar se dokumentacioni përfshinte afro 9 mijë faqe me nga 25 emra.
Ajo që i bëri përshtypje administratës, sipas Gucatit, ishte prania e logos së OVL-UÇK-së në dokumentet e dorëzuara, meqë simbolet ushtarake janë rreptësisht të ndaluara. “Për herë të parë, logoja jonë hyri dhe u pranua brenda Gjykatës Speciale. Ne theksuam se bëmë dorëzim-pranim në mënyrë zyrtare, çdo gjë ishte me protokoll,” u shpreh ai.
Gucati pranoi se peticioni nuk ka fuqi ligjore, por theksoi ndikimin e tij njerëzor dhe humanitar. “Ai dëshmon mbështetjen e shqiptarëve për ata që po mbahen padrejtësisht në burg në Hagë. Dhembshuria njerëzore dhe humanizmi tregojnë se 200 mijë nënshkrime, 200 mijë njerëz, kanë dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale,” tha ai.
Përmes dokumentacionit të dorëzuar, OVL-UÇK kërkoi drejtësi, trajtim të barabartë dhe lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së. “Në dokumentin që kemi shkruar në shqip dhe anglisht, kërkojmë drejtësi dhe barazi. Kërkojmë lirimin e shokëve tanë, që gjykata të mos jetë e njëanshme dhe politike, si dhe që çdo provë materiale e tyre të bazohet në realitet, jo në gënjeshtrat e Serbisë apo të individëve të caktuar. Kjo është shkruar me logon e OVL-UÇK-së, vulën tonë dhe nënshkrimin tim si kryetar i veteranëve të luftës,” sqaroi Gucati.
Lidhur me shtyrjen për 60 ditë të shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, Gucati u shpreh: “Në Hagë dëgjuam lajmin e shtyrjes për 60 ditë. Ne reaguam menjëherë si organizatë. Nuk kam frikë pse u shty. Edhe po u shty, ndoshta është më mirë me vonesë, por me t’u liruar. E rëndësishme është të lirohen ata; nuk më intereson nëse është sot apo nesër, sa më shpejt më mirë, por verdikti të jetë në anën tonë pozitive dhe të bazohet në realitet.”
Ai tha se pret që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm, duke shtuar se qytetarët shqiptarë po e presin me padurim lirimin e tyre. “E di që ne presim pa durim, jo vetëm unë si kryetar i organizatës dhe si veteran, por të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jemi. Unë kam bindjen se ata do të lirohen, në emër të Zotit. Do të dalin të pafajshëm, duke ditur se kanë të bëjnë me njerëz që kanë shpifur dhe gënjyer, me dokumente të marra nga Serbia dhe Vuçiqi. Besoj se do të dalin të lirë,” përfundoi Gucati.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dorëzoi më 6 maj në Gjykatën Speciale peticionin kombëtar për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ky veprim erdhi rreth dy muaj para shpalljes së vendimit për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, duke shprehur mbrojtjen e vlerave të luftës përmes mbi 200 mijë nënshkrimeve të mbledhura.
