Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, Latifi Jashari, Zëvendësguvernatori Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, me fokus në modernizimin e sistemit të pagesave dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë si prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.
U trajtuan gjithashtu zhvillimet lidhur me sistemin e pagesave të shpejta përmes zgjidhjes TIPS Clone të Bankës së Italisë dhe hapat për zgjerimin e shërbimeve shtesë. Po ashtu, u theksua rëndësia e zbatimit të financimit të projektit të sapo ratifikuar të sektorit financiar si dhe avancimi i kuadrit rregullativ për sigurimin e depozitave, me synim rritjen e mbulueshmërisë dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Bassani rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të mbështetur BQK-në dhe reformat e ndërmarra, duke vlerësuar lart arritjet e deritanishme.
Në fund, u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, me fokus në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.
