**Enis Osmani, kryetar i ri i degës së GUXO-s në Mitrovicë – Faton Peci largohet nga posti**
**Mitrovicë** – Faton Peci nuk do të jetë më kryetar i degës së partisë GUXO në Mitrovicë. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Peci, duke njoftuar emërimin e Enis Osmanit në krye të degës, raporton IndeksOnline.
Prej tani e tutje, degën e GUXO-s në Mitrovicë do ta udhëheqë Enis Osmani. Peci i ka uruar sukses kryetarit të ri në konsolidimin e partisë.
Nëpërmjet një mesazhi të plotë, Peci ka falënderuar strukturën e GUXO-s në Mitrovicë, të cilën e ka drejtuar për katër vite, krahas rolit të tij si bashkëkryetar.
“Nga zemra, faleminderit për punën, përkushtimin e angazhimin e përbashkët,” ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se GUXO, në zgjedhjet e fundit, doli e treta në garën për asamble. Peci ka vënë në pah edhe rëndësinë e partneritetit me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si vendimtar për ndryshimin e qeverisjes në Mitrovicë, ku GUXO ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Ai ka theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë.
Në fund të mesazhit, Peci i ka uruar sukses kryetarit të ri të degës së GUXO-s në Mitrovicë, Enis Osmani, dhe ekipit të tij, në konsolidimin e mëtejshëm të partisë.
